Nga Nertil JOLE*
Nisma dhe porosia e kryeministrit Rama që përfaqësuesit e Partisë Socialiste në të gjithë territorin të zhvillojnë takime të rregullta javore me komunitetet, është një normalitet që duhet të jetë i detyrueshëm për çdo të zgjedhur apo funksionar publik.
Madje kjo traditë demokratike duhej të kishte qenë normë e zbatuar që në krye të herës, prej vetë atyre.
Edhe pse u udhëzua që këto takime të mos zhvillohen në prani të kamerave, është interesant fakti që në qarkun e Korçës, sikur për të evidentuar pikërisht mungesën sistematike të deritanishme, kamerat fiksuan “praninë besnike” të ndonjë të zgjedhuri që ditën e parë të kësaj nisme.
Në fakt, takimi me qytetarin nuk duhet të shihet si risi politike dhe as si detyrim i imponuar nga lart. Ai është pjesë e vetë funksionit publik.
Të dëgjosh njerëzit, të kuptosh shqetësimet e tyre dhe t’u qëndrosh pranë, nuk është vetëm detyrë e zyrtarit publik, por edhe një nga dimensionet më të vlefshme të këtij shërbimi.
Për mua, përvoja më e bukur e shërbimit publik kanë qenë takimet me qytetarët. Sepse, përtej dëshirës për të zgjidhur problemin apo kërkesën konkrete që sjell secili prej tyre, besoj se pikërisht aty ndërtohet ajo që në politikë është e vështirë të fitohet dhe e lehtë të humbasë – besimi.
Dhe nëse besimi ndërtohet, ai mund të jetë afatgjatë. Nuk i përket vetëm kohës së marrëdhënies zyrtare me qytetarin, por vazhdon edhe përtej saj, sepse nga ajo marrëdhënie në vijim mbetet energjia pozitive dhe respekti i ndërsjellë.
Kujtoj një zotëri në moshë të thyer që më trokiti në zyrë, në një prej takimeve të rregullta të mesjavës. Ishte një burrë i kthjellët dhe me një pamje që nuk ta tregonte moshën.
Më pyeti nëse kisha kohë të mjaftueshme për t’i dëgjuar disa shqetësime.
I thashë: “Patjetër që po”.
Tregimi i tij zgjati rreth 15 minuta. Në fund i premtova se do të angazhohesha për ta ndihmuar.
Por papritmas më dha një përgjigje që më befasoi. Dukej sikur kishte ndryshuar mendim dhe më tha se nuk do të më trokiste më herë tjetër në zyrë.
E pyeta: “Pse?”
M’u përgjigj: “Sepse më dëgjove me shumë vëmendje, duke më parë në sy, dhe kaq më mjafton.”
Doli nga zyra dhe më mbetën gjatë në mendje fjalët e tij.
Nuk është ky ndonjë shembull i jashtëzakonshëm që më jep mua ndonjë meritë të veçantë. Por është një prej atyre momenteve domethënëse që më forcuan bindjen për rëndësinë që ka koha cilësore dhe mënyra se si i dëgjojmë qytetarët, të cilëve kemi detyrimin t’u shërbejmë.
Qytetari nuk kërkon gjithmonë zgjidhje të menjëhershme. Ndonjëherë kërkon të ndiejë se dikush e dëgjoi. Dhe pikërisht aty nis besimi.
Besimi nuk krijohet nga numri i takimeve dhe as nga prania në një sallë. Ai provohet në kohë. Provohet kur kamerat nuk janë aty dhe kur takimi nuk është pjesë e një fushate.
Të zgjedhurit nuk duhet të presin vetëm ditën e caktuar të javës për të dëgjuar qytetarët. Ata duhet të jenë pranë tyre vazhdimisht, jo thjesht për “halle” apo probleme konkrete që qytetarët nuk kanë mundur t’i zgjidhin, ose për të cilat nuk kanë marrë përgjigje.
Komunikimi me qytetarët duhet të shërbejë edhe për një dimension tjetër, po aq të rëndësishëm. Për të diskutuar politikëbërjen dhe vendimmarrjet që prekin drejtpërdrejt jetën dhe të ardhmen e komuniteteve.
Prej muajsh, për shembull, ka një diskutim që ka ngjallur interes për ndryshimet e pritshme që mund të sjellë reforma territoriale. Për qarkun e Korçës, ky debat është përqendruar kryesisht te bashkimi i mundshëm i bashkive Korçë dhe Maliq.
Por diskutimi është reduktuar në aspekte historike dhe emocionale, ndërsa shumë më pak është folur për ekonominë, zhvillimin dhe perspektivën e shërbimeve për të gjithë territorin.
Çuditërisht, vëmendja është përqendruar vetëm te Bashkia e Maliqit. Thuajse asgjë nuk thuhet për Bashkinë e Korçës, e cila është pjesë kryesore e këtij bashkimi të mundshëm. Asnjë prej të zgjedhurve, madje as drejtuesi politik i qarkut, nuk ka shprehur publikisht mendimin apo argumentet pro dhe kundër, që duhen marrë në konsideratë përpara një vendimmarrjeje të tillë.
Ky është një detyrim politik dhe nuk ka nevojë për porosi të veçanta apo për kalendare të përcaktuara nga Kryeministri.
Disproporcioni mes angazhimit për diskutimin e kësaj teme dhe angazhimit për promovimin e suksesit të Ditëve të Birrës, apo të tjera aktivitete të ngjashme, është i papranueshëm.
Ndoshta pikërisht ky është kuptimi i vërtetë i “pranisë besnike”. Të mos jesh pranë qytetarëve vetëm kur jepet porosi, kur e kërkon kalendari apo mandati, por sepse e konsideron atë marrëdhënie një detyrim konstant që vazhdon përtej tyre.
Për të fituar besimin e njerëzve duhet, para së gjithash, të jesh pranë tyre. Jo vetëm fizikisht.
Kur kjo prani nuk varet nga mandatet, kamerat apo porositë, atëherë ajo merr kuptimin e BESËS.
*Nertil Jole, ish-Prefekt i Qarkut Korçë
© 2026 Argumentum




















































