Një delegacion i nivelit të lartë të NATO-s vizitoi të mërkurën Portin e Durrësit, ku u njoh me kapacitetet portuale dhe rolin strategjik të tij në sigurinë, logjistikën dhe lëvizshmërinë rajonale, njoftoi Autoriteti Portual Durrës.
Delegacioni kryesohej nga Komandanti i Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli dhe shoqërohej nga përfaqësues të Forcave të Armatosura dhe Komandanti i Forcës Detare, Kundëradmiral Arsen Mullaj.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Andrea Shllaku, dhe Oficeri i Sigurisë së Portit, Dritan Prifti.
Përfaqësuesit e NATO-s u njohën me kapacitetet përpunuese, shërbimet dhe infrastrukturën e portit, si dhe me rolin e Bazës Detare të NATO-s në Porto Romano.

Në fokus ishte edhe rëndësia e Portit të Durrësit dhe e Bazës Detare në Porto Romano për mbështetjen e Korridorit VIII, si dhe për lëvizshmërinë dhe bashkëpunimin me strukturat euroatlantike.
Vizita nënvizoi rëndësinë e Durrësit si një nyje e rëndësishme e transportit dhe logjistikës rajonale, në funksion të sigurisë dhe forcimit të bashkëpunimit me NATO-n.
/Argumentum.al





















































