Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen e të gjitha forcave të tyre nga Iraku, duke i dhënë fund misionit ushtarak amerikan dhe të koalicionit kundër Shtetit Islamik (ISIS) dhe një pranie ushtarake që, me ndërprerjen e vitit 2011, ka shënuar më shumë se dy dekada të ndërhyrjes amerikane në vend.
Trupat e fundit amerikane u larguan të mërkurën nga baza ajrore në Erbil, në rajonin autonom të Kurdistanit, duke mbyllur fazën ushtarake të Operacionit “Inherent Resolve”. Sipas Pentagonit, misioni i koalicionit në Irak ka përfunduar dhe siguria po kalon në një fazë të udhëhequr nga forcat irakiane.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshëndetur tërheqjen si një fitore për Shtetet e Bashkuara dhe Irakun. Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se ishte koha që Amerika të largohej nga Iraku, duke e përshkruar ndërhyrjen amerikane si një “udhëtim shumë të kushtueshëm në ferr”. Ai e lidhi largimin me atë që e cilësoi si mposhtje të ISIS-it.
Trump e ka paraqitur përfundimin e misionit si rezultat të politikës së tij kundër “luftërave pa fund”, ndërsa tërheqja ishte pjesë e një marrëveshjeje të arritur në vitin 2024 mes Uashingtonit dhe Bagdadit, nën administratën e Joe Biden, dhe e zbatuar më pas nga administrata Trump.

Nga marrëdhënia ushtarake te partneriteti ekonomik
Tërheqja e plotë amerikane ishte paralajmëruar më 14 korrik, gjatë takimit të Presidentit Donald Trump me kryeministrin e ri irakian, Ali Falih Kadhim al-Zaidi, në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë takimit në Zyrën Ovale, Trump e vlerësoi al-Zaidin si një lider të ri me ndikim të rëndësishëm në Irak dhe në rajon, ndërsa të dy palët vendosën një afat të qartë për përfundimin e pranisë ushtarake amerikane në vend.
“Deri më 30 shtator, forcat amerikane do të jenë jashtë Irakut, ndërsa kompanitë amerikane do të jenë brenda Irakut”, deklaroi al-Zaidi pas takimit, duke e përshkruar marrëdhënien e re me Uashingtonin si një partneritet ekonomik dhe strategjik, në vend të një marrëdhënieje të dominuar nga prania ushtarake.
Në atë takim, Trump theksoi gjithashtu potencialin e madh ekonomik të Irakut, veçanërisht rezervat e naftës, dhe foli për mundësi të reja partneriteti mes kompanive amerikane dhe Irakut.
Dy muaj e gjysmë më vonë, afati i vendosur në Uashington u përmbush. Më 30 shtator, Pentagoni konfirmoi përfundimin e tërheqjes së forcave amerikane nga Iraku, duke shënuar kalimin nga misioni ushtarak i koalicionit në një marrëdhënie dypalëshe të sigurisë. SHBA do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të kufizuar përmes trajnimit dhe inteligjencës.
Irani e sheh si fitore
Ndërsa Uashingtoni e quan tërheqjen një sukses, Irani dhe grupet e armatosura të lidhura me të e kanë përshëndetur largimin amerikan si një fitore strategjike. Reuters shkruan se tërheqja heq nga Iraku një prani ushtarake që për vite ka shërbyer si kundërpeshë ndaj ndikimit iranian në vend.
Irani ka një ndikim të konsiderueshëm politik dhe të sigurisë në Irak dhe grupet e tij aleate kanë festuar largimin e forcave amerikane. Tërheqja vjen gjithashtu në një moment veçanërisht delikat, ndërsa SHBA-ja dhe Irani janë në konflikt dhe Bagdadi ndodhet mes dy fuqive rivale.
Frika për vakumin e sigurisë

Në Irak, reagimi ndaj largimit amerikan është i dyzuar. Qeveria irakiane e ka paraqitur tërheqjen si një hap drejt sovranitetit të plotë të vendit, ndërsa analistë dhe zyrtarë të sigurisë paralajmërojnë se largimi i forcave amerikane mund të krijojë hapësirë më të madhe për milicitë e mbështetura nga Irani dhe, në një skenar tjetër, për një rikthim të grupeve të ISIS-it.
Shqetësimi lidhet edhe me precedentin e vitit 2011, kur SHBA-ja u tërhoq nga Iraku dhe u rikthye tre vjet më vonë, në vitin 2014, pasi ISIS pushtoi territore të mëdha në Irak dhe Siri.
Sipas Reuters, largimi i fundit i forcave amerikane përfundon një kapitull që ka kushtuar mijëra jetë amerikane dhe ka lënë pas një Irak ende të brishtë në aspektin e sigurisë. Forcat amerikane do të vazhdojnë të mbështesin Irakun përmes marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa misioni ushtarak i koalicionit zhvendoset drejt një modeli të ri të bashkëpunimit të sigurisë.
Në planin rajonal, megjithatë, largimi amerikan nga Iraku hap një kapitull të ri, më pak prani ushtarake amerikane në territorin irakian, më shumë përgjegjësi për Bagdadin dhe një hapësirë potencialisht më të madhe për ndikimin iranian.
Tërheqja amerikane nuk nënkupton një shkëputje të plotë të Uashingtonit nga Iraku, por shënon fundin e pranisë së tij ushtarake si pjesë e misionit të koalicionit kundër ISIS-it. Komanda amerikane për Lindjen e Mesme ka zhvendosur strukturat e misionit në Jordani, ndërsa SHBA vijon të ketë trupa në Siri.
© 2026 Argumentum





















































