Kryeministri Edi Rama tha sot se 24 orë pas prezantimit të platformës “Pasqyra e Flamingos”, të cilën e cilësoi epokë të re transparence, janë shënuar mbi 127 mijë kërkime.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se “nga kalimi i saj LIVE, në 24 orët e para “Pasqyra e Flamingos/Flamingo Mirror” ka regjistruar 3,397 kërkime për faqe, mbi 127 mijë kërkime totale në platformë dhe 49 pyetje të reja”.
Kreu i Qeverisë pohoi se krahas kërkimeve dhe pyetjeve të reja, platforma Flamingo Mirror ka pasur edhe 122 sulme kibernetike nga 32 adresa të huaja, të cilat sipas Ramës janë zmbrapsur pa asnjë dëm.
“Ky është vetëm fillimi i një përballjeje transparente mes fakteve të qeverisjes dhe llumit antishtet të kanaleve sociale”, tha Rama.
Platforma “Flamingo Mirror” (Pasqyra e Flamingos), një komponent i ri i platformës “Pasqyrë Albania”, synon të ofrojë akses dhe transparencë mbi dosjet qeveritare dhe dokumentacionin zyrtar.
“Flamingo Mirror” do të jetë dritarja publike online ku qytetarët mund të gjejnë dokumente, të dhëna, referenca ligjore, statusin e proceseve dhe informacione të detajuara për çështje e projekte me interes publik.
Një ditë më parë, gjatë prezantimit, Rama tha se “Flamingo Mirror” është ende në proces ndërtimi, por do të shërbejë si një burim ku qytetarët mund të konsultojnë dokumentet dhe materialet që përbëjnë dosjet qeveritare.
© 2026 Argumentum




















































