Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” me votim me shumicë të cilësuar.
Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi me 85 vota pro ndarjen e re territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 bashki, ndërsa 12 qarqet ekzistuese do të mbeten të pandryshuara.
Votimi në parim mori 84 vota pro, 34 kundër dhe asnjë abstenim.
Para se të kalohej në votim, deputeti demokrat, Tritan Shehu kërkoi me propozim të 7 deputetëve që projektligji të kalonte me votim nominal. Ai argumentoi se kërkesa siguron transparencë.
Kreu i Kuvendit e kaloi në votim propozimin gjë që u hodh poshtë me 84 vota kundër e 32 vota pro.
Më pas seanca kaloi në proces votimi mes protestave të deputetëve demokratë. Ata dolën para foltores dhe krijuan zhurma me vuvuzela në shenjë mosdakordësie me miratimin e reformës territoriale. Po ashtu, deputetët e PD-së hodhën edhe sende të forta në drejtim të kreut të Kuvendit.

Me miratimin e hartës së re territoriale 15 bashki bashkohen me njësi më të mëdha vendore, me synimin për të përmirësuar administrimin e territorit, menaxhimin e financave dhe ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.
Konkretisht 33 bashki do të mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 bashki të tjera do të përfshihen në procesin e riorganizimit territorial.
Bashkitë që parashikohet të humbasin statusin e tyre janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.
Konkretisht Fushë-Arrëzi do t’i bashkohet Pukës, Klosi do t’i bashkohet Matit, ndërsa Rrogozhina i bashkohet Kavajës. Në qarkun e Beratit, bashkitë Dimal dhe Poliçan do të bashkohen me Beratin.
Ndryshime parashikohen edhe në qarkun e Elbasanit, ku Cërriku dhe Belshi do t’i bashkohen Bashkisë Elbasan, ndërsa Prrenjasi do të bashkohet me Librazhdin. Në qarkun e Fierit, Patosi do të përfshihet në Bashkinë Fier dhe Divjaka në Bashkinë Lushnjë.
Territori do të organizohet në 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ku bashkia do të vijojë të ketë një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm, ndërsa qytetet do të kenë rol në koordinimin administrativ dhe organizimin e shërbimeve.
Reforma synon gjithashtu forcimin e autonomisë financiare të pushtetit vendor, rritjen e kapaciteteve administrative dhe përshtatjen e organizimit territorial me ndryshimet demografike dhe kërkesat e integrimit.
Votimi u zhvillua pas një seance të gjatë parlamentare të shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës për hartën e re territoriale, ndërkohë që jashtë godinës së Kuvendit u zhvilluan protesta kundër këtij organizimi territorial.
Kuvendi po ashtu miratoi edhe pikat e tjera të rendit të ditës ndërsa me propozim te kreu të grupit parlamentar tv PS, Taulant Balla u tërhoqën nga rendi dy projektligje dhe katër interpelancat e parashikuara të cilat do të shtyhen për seancën e radhës.
© 2026 Argumentum





















































