Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi një marrëveshje me Rusinë, e cila përfshin furnizimin fillestar me 300 mijë tonë naftë dizel për SHBA-në dhe tregun botëror. Kievi ka reaguar me zemërim.
Presidenti amerikan Donald Trump, pas një bisede me presidentin rus Vladimir Putin, ka lënë të kuptohet se qindra mijëra tonë naftë nga Rusia do të vihen në dispozicion. Ai bëri të ditur në platformën e tij Truth Social se me presidentin rus është rënë dakord që “menjëherë” të sigurohen më shumë se 300 mijë tonë dizel për SHBA-në dhe tregun global.
Çmimet e larta të karburanteve, po shkaktojnë presion gjithnjë e më të madh në politikën e brendshme ndaj Trump. Gjatë muajit nëntor pritet të lirohen edhe 500 mijë tonë të tjera dizel, si dhe një milion tonë të tjera “menjëherë pas kësaj”. “Varësisht nga gjendja e rafinerive të saj të naftës, Rusia synon gjithashtu të furnizojë brenda një kohe të shkurtër tre milionë tonë dizel”, tha Trump. Ai nuk specifikoi afatet kohore se kur do të realizoheshin këto dërgesa.
Rusia konfirmon marrëveshjen
Kremlini e konfirmoi marrëveshjen. “Gjatë diskutimit për situatën në tregun botëror të energjisë, pala ruse konfirmoi gatishmërinë e saj për të furnizuar tregun amerikan dhe tregjet botërore me naftë bruto dhe produkte të naftës”, thuhet në deklaratën me shkrim të presidentit Putin. Sipas deklaratës, ky hap do të ketë një ndikim pozitiv në “të gjithë ekonominë botërore”.
Kritika të ashpra nga Kievi
Kritika të forta erdhën nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. “Lejimi i Rusisë për të shitur produkte të naftës është një investim në luftën (kundër Ukrainës), një luftë që duhet të përfundojë dhe jo të zgjatet”, shkroi ai në Telegram. Sipas tij, Moska do t’i përgjigjet këtij veprimi me edhe më shumë “terror dhe mizori”. Në një intervistë për portalin amerikan të lajmeve Axios, Zelensky e ashpërsoi më tej kritikën e tij. Marrëveshja është “e padrejtë dhe jo e ndershme”, deklaroi ai.
Zelensky përsëriti gatishmërinë e Ukrainës për të ndërprerë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse edhe Rusia, në këmbim, ndalon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase. “Ne sapo ia kemi propozuar SHBA një marrëveshje të tillë dhe besojmë se kapacitetet e Shteteve të Bashkuara janë të mjaftueshme për të arritur një kompromis të tillë”, shkroi presidenti ukrainas.
Sipas tij, një zbutje e sanksioneve ndaj Rusisë do të ishte një shenjë e “dobësisë së dukshme”. Rusia, tha Zelensky, do t’i merrte Shtetet e Bashkuara edhe më pak seriozisht.
Njoftimi i Trumpit ka shkaktuar reagime të forta edhe për një arsye tjetër: vetëm muajin e kaluar presidenti amerikan nënshkroi një ligj të miratuar nga Kongresi, i cili i jep atij kompetenca të gjera për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Përveç masave ndëshkuese të drejtpërdrejta kundër politikanëve dhe kompanive ruse, ligji synonte të kufizonte më tej eksportet ruse të naftës dhe gazit, përmes të cilave Rusia financon luftën e saj kundër Ukrainës. Hapi që Trump shpalli tani shkon pikërisht në drejtimin e kundërt.-DW





















































