Protesta e ditës së shtatë e të rinjve kundër klasës politike në Shqipëri është shoqëruar me tensione dhe akte dhune në disa zona të Tiranës.
Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, ku disa protestues të maskuar hodhën gurë dhe kapsolla në drejtim të policisë. Forcat e rendit reaguan me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa situata u përshkallëzua kur protestuesit shkulën pllaka nga trotuari dhe i përdorën për të sulmuar efektivët. Dy kosha mbeturinash u dogjën dhe u vendosën në rrugë si barrikada.
Më pas, protestuesit marshuan drejt Rrugës së Elbasanit, ku një grup prej tyre thyen xhamat në hyrje të godinës së Gjykatës së Apelit. Pas këtij akti, ata u drejtuan për te Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Policia ndërhyri sërish me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa nisi edhe shoqërimin e disa protestuesve.
Protesta e shtatë vjen pas disa ditësh tubimesh të shoqëruara me përplasje, dëmtime të pronës publike dhe private dhe tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit. Përshkallëzimi i situatës e ka vendosur sigurinë publike dhe zhvillimin paqësor të protestave në qendër të vëmendjes.
vijon…
© 2026 Argumentum





















































