Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha të hënën se përparësia më e ngutshme për Kinën dhe ShBA-në është që të trajtojnë siç duhet çështjen e Tajvanit, duke paralajmëruar se menaxhimi i gabuar i këtij problemi do të ketë një ndikim shkatërrues mbi marrëdhëniet dypalëshe.
Gjatë një takimi në Nju-Jork me ish-sekretarin amerikan të Shtetit Henry Kissinger, kryediplomati kinez theksoi gjithashtu se vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit, shqyrtimi nga Senati i “Projektligjit të politikës lidhur me Tajvanin për vitin 2022” dhe deklarimi për “mbrojtjen” e Tajvanit nga pala amerikane, sfidojnë rëndë që të gjitha tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane dhe minojnë themelet politike të marrëdhënieve dypalëshe.
Wang Yi tha se aspirata më e madhe e palës kineze është të arrihet ribashkimi paqësor i vendit dhe ajo do të bëjë të gjitha përpjekjet për këtë.
“Megjithatë, duhet parë se, sa më të shfrenuara bëhen forcat e ‘pavarësisë së Tajvanit’, aq më shumë zvogëlohet mundësia e zgjidhjes paqësore të çështjes së Tajvanit,” paralajmëroi Wang.
Gjatë bisedimeve të tyre të hënën, Wang e uroi Kissingerin për ditëlindjen e tij të ardhshme të 100-të, duke e quajtur atë një mik të vjetër dhe të mirë të popullit kinez, i cili ka dhënë kontribute historike në vendosjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-SHBA.
Wang theksoi se pala kineze vlerëson faktin se Kissinger ka qenë gjithmonë miqësor me Kinën dhe ka besim në marrëdhëniet Kinë-SHBA.
Ai shprehu shpresën se Kissinger do të vazhdojë të luajë një rol unik dhe të rëndësishëm dhe të ndihmojë marrëdhëniet dypalëshe të kthehen në rrugën e duhur sa më shpejt të jetë e mundur.
Kissinger, i cili kishte marrë pjesë personalisht në hartimin e Komunikatës së Shangait midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara 50 vjet më parë, kujtoi se si ai dhe udhëheqësit kinezë arritën dokumentin historik në atë kohë dhe tha se rëndësia ekstreme e çështjes së Tajvanit për Kinën duhet të jetë njohur plotësisht.
SHBA-ja dhe Kina duhet të kenë dialog, jo konfrontim, dhe duhet të ndërtojnë një marrëdhënie dypalëshe të bashkëjetesës paqësore, tha Kissinger.
Argumentum.al