Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat, duke paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të protestave në akte dhune, si dhe për bllokime rrugësh dhe ndërprerje të shërbimeve publike.
Në një njoftim zyrtar, ambasada bën të ditur se demonstratat vijojnë në qendër të Tiranës dhe pranë institucioneve qeveritare, ndërsa disa prej tyre janë shndërruar në trazira të dhunshme, me përdorimin e mjeteve ndezëse, hedhjen e gurëve dhe dëmtimin e pronës.
Sipas njoftimit, demonstrata të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Ambasada paralajmëron se protestat mund të përhapen në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë policore, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Gjithashtu, personat që ndodhen pranë zonave të demonstratave mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarreve të hedhur horizontalisht, mjeteve ndezëse dhe predhave prej gome.
Në këtë kuadër, Ambasada njofton se ka këshilluar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat.

Sa u përket ndikimeve të pritshme, në njoftim theksohet se mund të ketë mbyllje të mëtejshme ose reduktim të shërbimeve publike në Tiranë, përfshirë transportin publik dhe zyrat qeveritare.
Ambasada u kërkon qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë, të monitorojnë mediet lokale dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të zbatimit të ligjit.
Ndër masat e rekomanduara përfshihen shmangia e demonstratave, vëmendja ndaj mjedisit përreth, kufizimi i shpërqendrimeve gjatë lëvizjes në publik, mbajtja e një plani emergjence ose daljeje dhe ruajtja e një profili të ulët.
© 2026 Argumentum




















































