Bashkimi Evropian deklaron se është i gatshëm të marrë pjesë në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe se prej kohësh po përgatitet për një proces të mundshëm diplomatik. Megjithatë, Brukseli thekson se një angazhim i tillë varet nga gatishmëria e Rusisë për të zhvilluar bisedime serioze dhe mbi kushte konkrete.
“Jemi të përgatitur dhe prej kohësh jemi duke u përgatitur, ndërsa presim vetëm momentin kur Rusia do të jetë vërtet e gatshme të angazhohet në diskutime serioze dhe në kushte konkrete për t’i dhënë fund kësaj lufte”, deklaroi të premten zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, gjatë një prononcimi për mediat në Bruksel.
Komisioni Evropian u pyet nëse po përgatitet për një fazë të re të negociatave dhe nëse do të dërgojë përfaqësues për të marrë pjesë në bisedimet që synojnë përfundimin e luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Deklarata vjen në një moment kur përpjekjet diplomatike janë intensifikuar. Më 27 tetor, presidenti finlandez Alexander Stubb dhe kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre zhvilluan një telefonatë rreth 90-minutëshe me presidentin rus Vladimir Putin, në koordinim me Ukrainën, për të diskutuar mundësinë e rifillimit të negociatave.
Biseda u zhvillua në prag të takimeve të pritshme në Abu Dhabi në fillim të nëntorit, ku pritet të përfshihen përfaqësues të Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, mbetet e hapur çështja e përfaqësimit evropian në proces dhe e koordinimit të qëndrimeve mes vendeve të BE-së. Brukseli ka përsëritur se synimi i tij është një paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë, me përfshirjen e Ukrainës në çdo proces që vendos për të ardhmen e saj.
Deklarata e plotë e Paula Pinho.
© 2026 Argumentum




















































