Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann u shpreh sot me rastin e Ditës Botërore për Lirinë e Shtypit se, liria e shtypit është një e drejtë themelore dhe një gurthemeli i demokracisë.
“Në Ditën Botërore për Lirinë e Shtypit, është e rëndësishme të mbajmë mend se Liria e Shtypit është një e drejtë themelore dhe një gurthemeli i demokracisë. Pa medie të lira dhe të pavarura, demokracia nuk mund të lulëzojë”, u shpreh ajo, në një postim në rrjetet sociale.
Hohmann u solidarizua me gazetarët në Shqipëri dhe botë, të cilët mbrojnë standardet më të larta të gazetarisë cilësore.
“Sot, solidarizohemi me gazetarët në Shqipëri dhe në mbarë botën, të cilët dita-ditës mbrojnë standardet më të larta të gazetarisë cilësore dhe vënë përpara përgjegjësisë ata në pushtet”, theksoi ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.