Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se protesta e nisur fillimisht në lidhje me shqetësimet mjedisore në Zvërnec nuk e përfaqëson më kauzën për të cilën u organizua.
Pas mbledhjes së grupit të PS, Balla deklaroi për mediat se protestat e zhvilluara para Kryeministrisë, sipas tij, janë ndikuar nga faktorë të jashtëm, përfshirë edhe shtete që ai i cilësoi jo miqësore me Shqipërinë, si dhe nga interesa të lidhura me konkurrencën rajonale.
“Respektoj ata që dolën në protestë për çështje që lidhen me dyshime, respektimin e normave mjedisore në një investim jetik për ekonominë e vendit, një investim që do të bëhet sepse është mundësi e madhe për Shqipërinë. E kam thënë, brenda kësaj proteste janë përfshirë edhe elementë që nga dita e parë që e fryn këtë tullumbace, duket qartë që janë interesa që lidhen me konkurrencë rajonale, me influencë të vendeve jo miqësore me Shqipërinë. Kjo tullumbace po shfryhet, ka plasur në sytë e gjithë qytetarëve shqiptarë. Ka një milion kërkesa dhe 500 kandidatë për kryeministër, kujt t’i përgjigjem? Po ju them, që këtu nuk kemi të bëjmë me një protestë që lindi për një rast, për të cilin besojmë që ndajmë të njëjtin shqetësim. Ajo dhunë në Zvërnec ishte dhunë e papranueshme. Sot atë çështje e kanë harruar dhe ata për të cilën u ngritën nuk flasin më. Sot protestën atyre që e nisën, ua kanë vjedhur”, tha Balla.
I pyetur nga gazetarët nëse ka marrë njoftim zyrtarisht nga Marjana Koçeku që nuk do të jetë më pjesë e grupit të PS, Balla i bëri thirrje deputetes që ta dorëzojë mandatin pasi, sipas tij, i përket PS.
“Për këtë çështje ua kam sqaruar dhe nuk dua t’i kthehem më komenteve për të ushqyer një telenovelë që nuk më pëlqen. Një njeri që nuk di të respektojë ata që e kanë zgjedhur, dhe personin në fjalë e ka zgjedhur PS, të dorëzojë mandatin, s’është person i votuar drejtpërsëdrejti”, tha Balla.
Një përgjigje ai e dha edhe për kritikat e publikuara nga Koçeku që sipas saj në grupin e PS nuk lejohej mendimi ndryshe.
“S’kam asnjë koment sepse gjatë gjithë 8 muajve ku ajo ka bërë pjesë, kam pasur vetëm falënderime nga deputetja për mënyrën si e drejtoj”, tha Balla.
Në mbledhjen e grupit të PS ishte i pranishëm edhe kryesocialisti Edi Rama, i cili u ka kërkuar deputetëve të jenë më aktivë në rrjetet sociale.
/Argumentum.al




























































