“Ballkani i Hapur”, Balluku: Shqipëria, në proces për prodhimin e energjisë nga era

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku mori pjesë sot në tryezën e diskutimit për sigurinë energjetike me përfaqësues nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut që u zhvillua në Tiranë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Balluku vuri theksin në rëndësinë e bashkërendimit të forcave mes vendeve përballë sfidave që ka sjellë koha. “Bashkëpunimi do t’i shërbejë zgjidhjes së qëndrueshme të çështjeve për të ardhmen, si në fushën ekonomike apo në politikat e jashtme”, u shpreh Balluku.

Sipas saj, përballë krizës energjetike që ka prekur të gjithë botën, qeveria shqiptare po kontribuon duke mos prekur nga rritja e çmimit abonentin familjarë e biznesin e vogël.

Shqipëria prodhon mbi 90% të energjisë elektrike nga burimet e HEC-eve, por nga ana tjetër Shqipëria si pjesë e Axhendës së Gjelbër, po intensifikon punën për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë nga burime të pastra, siç janë parqet fotovoltaike.

“Jemi në proces për një ankand të prodhimit të energjisë nga era, nga parqe eolike. Ndërsa po punojmë për vënien në punë të TEC-it të Vlorës, përmes segmentit IAP, ku janë angazhuar dy kompani amerikane dhe kthimin e portit të Vlorës në një shpërndarës të gazit të lëngshëm, që synon ta kthejë këtë investim në një projekt rajonal me kontribut në fushën energjetike”, tha Balluku./ata