Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot emërimin e gjeneral brigade Arben Voke Kingji si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, gjeneral brigade Arben Kingji mbante detyrën e Komandantit të Forcës Tokësore.
Gjeneral brigade Arben Kingji ka drejtuar deri më sot Forcën Tokësore të FA dhe më herët ka mbajtur detyrën e komandantit të Batalionit të Mbështetjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Gjeneral brigade Arben Kingji ka ushtruar edhe detyra të tjera si ajo e atasheut ushtarak të Republikës së Shqipërisë në Rumani. Me herët ai ka qenë edhe komandant i Policisë Ushtarake. Ka kryer Kursin e Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë.
Gjeneral brigade Kingji ka mbajtur detyrën e komandantit të kontingjentit në disa misione në Afganistan e Irak.
Në vitin 2016 ai përfundoi edhe studimet për drejtësi në Wisdom University. Për kontributet e tij në Forcat e Armatosura, gjeneral brigade Arben Kingji është nderuar me disa medalje. Ai mban edhe Medaljen e Artë të Shqiponjës, dhënë nga Presidenti i Republikës.
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim uroi sot shefin e Shtabit të Ushtrisë, Arben Kingji për detyrën e re.
“Urime gjeneral brigade Arben Kingji për emërimin e tij në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ne mezi presim të punojmë me të për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit ushtarak, përfshirë edhe si aleatë të NATO-s, ndërsa mbrojmë paqen dhe sigurinë në rajon dhe në mbarë botën”, shprehet Kim.
Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot emërimin e gjeneral brigade Arben Voke Kingji si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Gjeneral brigade Arben Kingji mbante detyrën e Komandantit të Forcës Tokësore.
/Argumentum.al