Nga Marjana Doda
Javët e fundit në media u trumbetua një lajm shumë domethënës që vinte nga Manastiri.
Ermira Selimi një studente shqiptare nga Maqedonia e Veriut, ka ndërmarrë një inciativë të jashtëzakonshme për Hapjen e bibliotekës së parë shqipe në qytetin e Manastirit.
Kur e lexova si lajm për herë të parë, nga njëra anë u surprizova me këtë iniciativë të një të reje shqiptare por dhe u zhgënjeva njëkohësisht pasi mendova se Manastiri, ky qytet me rëndësi kaq të madhe kulturoro- historike nuk paska një bibliotekë me libra shqip.
Çfarë ironie! Aty ku u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe, sot nuk paska bibliotekë me libra shqip.
Që në krye të herës e vlerësova këtë iniciativë të kësaj të reje shqiptare e cila guxoi të dalë mbi shoqërinë civile dhe partitë politike në vend duke treguar mbi të gjitha dështimin e tyre.
Padiskutim kjo tregon papërgjegjshmërinë e qeverive në pushtet jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por dhe të Tiranës zyrtare dhe të Prishtinës zyrtare, të cilat e kanë detyrë kushtetuese pmbrotjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen.
Pikërisht ky fakt më bëri ta duartrokas këtë iniciativë të studentës Ermira Selimi.
Megjithatë nga vetë Ermira mbi këtë iniciativë e dëgjova për herë të parë në një emison në TV Kombëtar Top Channel, ku për hirë të së vërtetës drejtuesja e këtij emisoni, znj. Bieta Sulo sëbashku me disa shtëpi botuese në Tiranë kishin siguruar libra shqip duke e mbështetur iniciativën e Ermires, që në fakt u bën nder të gjithë shqiptarëve këtej dhe andej kufirit.
Ndërsa dëgjoja me vëmendje rrëfimin e Ermires për këtë iniciative dhe për mënyrën se si jetojnë apo ndjehen shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në Manastir (Bitola) apo në gjithë Maqedoninë e Veriut, me duhet të them se u zhgënjeva.
E theksoj, jo për iniciativën për bibliotekën por për mënyrën se si Ermira e paraqiti bashkëjetesën shqiptaro-maqedonase në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Jeta e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është një tmerr tha ajo, ndërsa theksoi se qeveria maqedonase po ndryshonte mbiemrat e shqiptarëve për ti asimiluar ata”.
Një fjali therëse që nga njera anë sipas politikave të marketingut tërheq vëmendjen por nga ana tjetër është ftuese e një diskursi politik që rrezon poshtë menjëherë këtë iniciative të Ermires.
Është Ermira, që pa këtë nevojë të bashkëqytetarëve të saj për këtë bibliotekë, apo dikush po e “koordinon” Ermiren në pafajësinë e saj përballë kësaj kauze për të hapur plagë të vjetra mes maqedonasve dhe shqiptarëve?!
Ndër të tjera Ermira në këtë minutazh televiziv foli për përndjekje nga maqedonasit, për padrejtësi, për manipulim nga “rraca sllave” ku me të drejtë moderatorja e emisionit e korrigjoi duke e quajtur etni sllave, dhe jo “rracë”.
Panorama që na paraqiti Ermira me një pathos nacionalist gati-gati me nota urrejtje për maqedoansit ishte ajo e 23-viteve më parë, në vitet 2000 ku Ermira ndoshta nuk kishte lindur ende. Por kjo panoramë nuk reflekton atë që është Maqedonia dhe maqedonasit sot.
Këtë nuk them unë, por këtë e thonë ato parti dhe politikanë që ju i keni zgjedhur dhe votuar, e këtu po flas për politikanët shqiptarë. Dhe për çudi ju e dashur Ermira nuk i përmendët aspak si përgjegjës për këtë mangësi kombëtare siç është bibloteka me libra të gjuhës shqipe, pikërisht aty ku u formësua alfabeti ynë shqip.
Por le të qëndrojmë të përgjegjshmëria politike qoftë maqedonase dhe ajo shqiptare.
Ata që e njohin historinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të 23 viteve më parë janë po ashtu njohës dhe të një marrëveshjeje të Ohrit, marrëveshje të cilën Kreu i partisë shqiptare me të madhe në Maqedoninë e Veriut z. Ali Ahmeti e ka trumbetuar me të madhe që e ka përmbushur atë.
Kjo u pa qartë edhe me zyrtarizimin e gjuhës shqipe në vitin 2019 ku specifikisht thuhet se :
Ligji për gjuhët parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe si në të shkruar ashtu edhe në folur si në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera. Me këtë ligj drejtuesit e seancave, qoftë të Qeverisë apo Kuvendit, nëse janë shqiptarë, ato do të mund t’i udhëheqin në gjuhën e tyre, ndërsa të gjitha aktet botohen edhe në gjuhën shqipe. Mbishkrimet në nivel qendror do të jenë në dy gjuhë. Gjithashtu me këtë ligj parashihet që uniformat e policisë, të zjarrfikësve dhe të punonjësve shëndetësorë të jenë edhe në gjuhën shqipe në Shkup dhe komunat, ku mbi 20 për qind e popullatës janë shqiptare.
Pra nuk qenka kaq e tmerrshme sa e thoni ju?
Ju flisni për maqedonasit që bëjnë plane kundër shqiptarëve, që ju nuk gjeni drejtësi, ndërsa keni harruar se dy shqiptarë janë sot në nivelet më të larta drejtuese të vendit tuaj . Pra, Zv/kryeminsiter dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut janë shqiptarë apo jo?
Flisni për papunësi, për largime të të rinjve për shkak të maqedonasve, ndërsa për 22 vite me radhe partitë shqiptare kanë bashkëudhehequr dhe drejtuar vendin tuaj.
Flisni për qeveri maqedoanse…ndërsa është një fakt i patjetërsueshem që partitë shqiptare kanë qenë në koalicione bashkëqeverisëse me partitë maqedoanse.
U nxita të shkruaj disa rrjeshta pasi me erdhi vërtetë keq të shoh një vajzë vetëm 23 vjeçare me kaq mllef për vendin ku jeton dhe për njerëzit me të cilin e ndan këtë vend. Një gjuhë e ashpër dhe e vjetër aspak përbashkuese por përçarëse.
Iniciativa është e shkëlqyer, por më beso edhe në shumë qytete kryesore të Shqipërisë, mungojnë biblotetakat dhe shpresoj që të rinjtë e të rejat të frymëzohen nga kjo ndërmarrje e juaja, por diskursi i vjetër me etiketime për të ashtuquajturen “rracë sllave ” e sfumon në sytë e mi dëshirën tuaj për të ngritur këtë bibliotekë me libra shqip.
Sot në fakt në kohën ku jetojmë sikunder kudo edhe në Manastir besoj se të gjithë të e rinjtë e të rejat janë përdorues të internetit dhe aktiv në botën digjitale ku nese ekziston kjo dëshirë e madhe për libra mund ti gjejnë në çdo kohë pa pengesen e askujt.
Nëse kjo iniciativë është vërtetë për bibliotekën, librat, rrënjët shqiptare, gjuhën dhe historinë e Manastirit por gjatë gjithë kohës drejtoni gishtin tek maqedoansit atëherë padashur po bëheni vegel e retorikave nacionaliste që nuk ndihmojnë as shqiptarët e manastirit dhe Maqedoninë e Veriut rruga e secilës duhet të jetë vetëm drejt Europës dhe jo të kthehet 23 vite mbrapa.
Është dëshpëruese që sot në shekulin 21 të shoh një vajzë të re që flet me nota urrejtje kundër një tjetër etnie. Në asnjë moment në këtë mini-intervsite nuk foli për përgjegjshmëri politike të partive shqiptare por vetëm kundër maqedonasve. Po nëse maqedonaseve nuk u interson të mbrojnë interesat tona, pse këtë nuk po e bëjnë shqiptarët.
Detyra kryesore për mbrojtjen e gjuhës kulturës historisë është e jona, dhe e juaja. E atyre politikanëve që ju i keni zgjedhur dhe votuar që tju përfaqësojnë.
Dua ta di nëse këtë problematikë ua keni parashtruar drejtuesve të partive politike shqiptare si BDI, ASH, BESA, PDSH, AA, etj
Janë së pari ata, pikë së pari duhet të jenë ata “rojtare” të rrënjëve shqiptare.
E theksoj këtë sepse nëse ne nuk e shohim gabimin tek vetja jonë, tek njerëzit tane, të politikanët shqiptare atëherë duke drejtuar gishtin vetëm tek të tjerët, tek” ata”, kjo nuk është zgjidhje. Te gjitha palët janë përgjegjës qofshin qeveritarët maqedonas dhe ata shqiptarë.
Po ashtu në marrëveshjet e ndryshme që Tirana dhe Shkupi kanë firmosur janë edhe ato kulturore, ku Manastiri fare mire mund të futet në guidat turistike që të vizitohej. Do doja që ju të pyesni partitë politikë shqiptarë për këtë( të paktën ato që po qeverisin), së paku kur dilni në media duhet tu kërkoni llogari edhe atyre.
Ermira foli po ashtu për pakicën bullgare në Maqedoninë e Veriut ku akuzoi se janë shumë qytetarë me pasaportë bullgare por që nuk ekzistojnë si të tillë duke e paralelizuar kështu me shqiptarët dhe pretendimet e tyre që janë me shumë se sa ekzistojnë në dokumente.
Mjafton kjo fjalë për të kuptuar ose për tu keqkuptuar nga kushdo, se ju e dashur Ermira po “manipuloheni” nga dikush që ka interes kundër maqedonasve.
Aktualisht duhet ta dini se tensionionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë rritur pas tërheqjes së ambasadorit bullgar nga shkupi, dhe kjo shprehje e juaja çon ujë në “mullirin bullgar”.
Nuk dua te mendoj që jeni influencuar nga pala bullgare pasi do të bija dhe unë në nivelin e “akuzave” tuaja lidhur me % reale të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut. Por këto janë disa momente në këtë intervistë që dëmton rëndë iniciativën tuaj për një bibliotekë, për librat në gjuhën shqipe, per atë çfarë përfaqëson Manastiri për Shqiptarët, historia e se cilës nuk është mohuar dhe as nuk mund të mohohet as sot e as kurrë.
Një bibliotekë, një liber, duhet të jetë përbashkuese, unifikuese… nga një e re si ju, përpos kësaj une pres që të ftoni edhe të rinj e të reja maqedoanse që të njihen sa më shumë me kulturën e historinë tonë.
Ju jeni brezi i të rinjve që duhet ta zhveshni petkun e nacionalizmit dhe të shtrini dorën për bashkim në çdo rast në çdo moment nën qiellin etnik të asaj që është sot Republika e Maqedonisë së Veriut.
/Argumentum.al