Marjana Doda
Dhjetë vite më parë, Kina propozoi Iniciativën Brez dhe Rrugë (BRI) duke ndjekur gjurmët e Rrugës së Mëndafshit, një trashëgimi e madhe e qytetërimit njerëzor që lidh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Ndonëse në fillesat e saj, kjo nismë u lexua si një projekt kinez që i shërben interesave të Kinës, në fakt përgjatë dhjetë viteve të fundit, është dëshmuar se ky projekt i kapërcen kufijtë gjeografikë të kontinentin aziatik.
Sot BRI shtrihet nga Azia dhe Evropa në Afrikë dhe Amerikën Latine, ndaj dhe unë e huazova këtë titull nga Libri i Bardhë i publikuar për nismën “Një brez, një rrugë” se kjo iniciativë vërtetë është e nisur nga Kina, por ajo sot i përket botës dhe përfiton mbarë njerëzimi.
Pikërisht duke vënë në qendër bashkëpunimin global, në kuadër të 10-vjetorit të Nismës ”Brez dhe Rrugë”, u hap në Pekin, konferenca e tretë për bashkëpunimin ndërkombëtar për Iniciativën “Një brez – një rrugë” nën titullin “Bashkëpunimi me Brez dhe Rrugë me cilësi të lartë: Së bashku për zhvillim dhe prosperitet të përbashkët”.
Kjo konferencë ka tërhequr vëmendjen e botës. Me pjesëmarrjen e më shumë se 140 vendeve dhe mbi 30 organizatave ndërkombëtare në takim tregon njohjen globale të BRI-së si një platformë për bashkëpunim dhe përparim të përbashkët. Më shumë se 75% e vendeve dhe rajoneve në botë po marrin pjesë në ndërtimin e përbashkët të “Brezit dhe Rrugës”. Kombet e Bashkuara, G20, APEC dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare shprehën gjithashtu mbështetje të këtij forumi.

Libri i Bardhë i publikuar për nismën “Një brez, një rrugë”/CFP
Iniciativa Brez dhe Rrugë (BRI), e njohur gjithashtu si Brezi Ekonomik i Rrugës së Mëndafshit dhe Rruga Detare e Mëndafshit e shekullit të 21-të, është një nga ndërmarrjet ndërkombëtare më ambicioze dhe transformuese në historinë e fundit. Qeveria kineze si arkitekte e kësaj nisme e nisi atë në 2013 për të promovuar lidhjen dhe bashkëpunimin.
Kina filloi Iniciativën e saj Brez dhe Rrugë më shumë se 10 vjet më parë dhe është një nismë strategjike globale për të zhvilluar infrastrukturën, për t’u lidhur me Azinë, Afrikën dhe Evropën nga toka dhe deti. Projekti “Brez dhe Rruge” është një iniciativë ndërkombëtare me qëllim zhvillimin e korridoreve të transportit tregtar që funksionojnë aktualisht dhe krijimin e korridoreve të reja që lidhin më shumë se 60 vende të botës në rajone të Azisë Qendrore, Evropës dhe Afrikës, dhe është projektuar për të rritur zhvillimin e marrëdhënieve tregtare mes tyre.
Ideja e formimit të një “Rripi Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit” u propozua nga presidenti kinez Xi Jinping dhe u njoftua për herë të parë gjatë fjalimit të tij në qytetin e Astanës, kryeqyteti i Kazakistanit, në shtator 2013. Forumi i parë ishte mbajtur në vitin 2017, e dyta është mbajtur në vitin 2019.
Ndërsa Forumi i tretë “Brez dhe Rruge” për Bashkëpunim Ndërkombëtar është zhvilluar nga 17 deri më 18 tetor të këtij viti (2023), duke demonstruar rëndësinë dhe tërheqjen e vazhdueshme të BRI-së. Ky forum nderon përvjetorin e dhjetë të nismës dhe suksesit në dekadën e saj të parë, çka e bën të renditet si një ngjarje historike që ilustron bashkëpunimin dhe rritjen globale.
Iniciativa e Kinës “Një brez dhe një rrugë” hyn në dekadën e saj të dytë
Lidhshmëria, përfitimi i ndërsjellë, zhvillimi i përbashkët, bashkëpunimi dhe rezultatet fituese në fokus ndërsa liderët nga e gjithë bota mblidhen në Pekin, ndërsa ngjarja ofron gjithashtu një mundësi për shkëmbime në një gamë të gjerë fushash.
Iniciativa Brez dhe Rrugë, përmes shtrirjes strategjike, fuqizon vendet që të marrin fatin e tyre në duart e tyre për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
Udhëheqësi i Kinës Xi Jinping në Forumin e 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë” mbajti fjalimin me temë “Ndërtimi i një bote me hapje, përfshirje, ndërlidhje dhe zhvillim të përbashkët”.
Fjalimi i Presidentit Xi përkrah një modernizim gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe të përqendruar te njerëzit, i cili është një dëshmi e përkushtimit të Kinës për përparimin global. Dhe Nisma “Brez dhe Rrugë” përfaqëson një rrugëtim të përbashkët drejt realizimit të këtij vizioni.
Xi shpalli tetë veprimet e Kinës për mbështetjen e ndërtimit të përbashkët me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë”, duke theksuar që Kina është e gatshme të thellojë partneritetin me palët, të nxitë bashkëndërtimin e “Një brez, një rrugë” me cilësi më të lartë dhe të bëjë përpjekje të palodhshme për modernizimin e vendeve të ndryshme.
Në fjalimin e tij, Xi vuri në dukje në 10-vjetorin e paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”, se synimi origjinal i kësaj nisme është që, duke u frymëzuar nga Rruga e lashtë e Mëndafshit, me ndërlidhjen si linjë kryesore, të shtojë ndërlidhjen në politika, infrastrukturë, tregti, financa dhe zemrat e popujve, të japë energji të re për rritjen ekonomike të botës, të krijojë hapësirë të re për zhvillimin global dhe të formojë një platformë të re për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar.

Presidenti kinez Xi Jinping në Forumin e tretë “Brez dhe Rruge” për Bashkëpunim Ndërkombëtar/Xinhua
“Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, ne jemi fokusuar te synimi ynë origjinal dhe kemi punuar së bashku për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadër të ‘Një brez, një rrugë’ nga zeroja, dhe tani kemi arritur rezultate të pasura. Bashkëpunimi lidhur me ‘Një brez, një rrugë’ është zgjeruar nga kontinenti euroaziak deri në Afrikë dhe Amerikën Latine. Më shumë se 150 vende dhe mbi 30 organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar dokumente bashkëpunimi dhe kanë krijuar më shumë se 20 platforma profesionale të bashkëpunimit shumëpalësh. Një numër i madh projektesh simbol dhe projektesh ‘të vogla, por të bukura’ janë futur në fazën e zbatimit praktik. Konsultimi i përbashkët, ndërtimi i përbashkët dhe ndarja e përbashkët, një nismë e hapur, e gjelbër dhe e pastër, me standard të lartë, e me përfitime për jetën e njerëzve dhe e vazhdueshme janë bërë parimet e rëndësishme të bashkëndërtimit me cilësi të lartë të ‘Një brez, një rrugë’,” tha ai.
Xi u shpreh që këto arritje gjatë dhjetë vjetëve të kaluar janë mjaft të çmuara. “Kemi kuptuar thellësisht që njerëzimi është një komunitet me fate të përbashkëta. Kina është mirë vetëm kur bota është mirë dhe bota është mirë vetëm kur Kina është mirë. Me bashkëndërtimin e ‘Një brez, një rrugë’, Kina do ta hapë gjithnjë e më shumë derën e saj e tregu kinez do të ketë lidhje më të ngushtë me tregun botëror,” theksoi ai.
Nisma, siç tha presidenti Xi, është një vizion i prosperitetit të ndërsjellë dhe zhvillimit global, jo vetëm për Kinën, por për të gjithë komunitetin global.
Nisma “Një brez, një rrugë” e ka origjinën nga Kina, por arritjet dhe mundësitë e saj i takojnë tërë botës. “Ne do të mbajmë në mend dëshirat e popullit, do të mbajmë përgjegjësinë historike, do të përparojmë me vullnet të vendosur, do të thellojmë bashkëpunimin ndërkombëtar të ‘Një brez, një rrugë’ dhe do të ndërtojmë me cilësi e nivel më të lartë ‘Një brez, një rrugë’, do të nxisim modernizimin e vendeve të botës, do të ndërtojmë një botë me hapje, përfshirje, ndërlidhje e zhvillim të përbashkët dhe do të nxisim formimin e një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit,” theksoi Xi.
Në vigjilje të Forumit… Publikimi i Librit të Bardhë dhe Forumi Global i Medias(CMG)
· Libri i Bardhë; “Iniciativa Brez dhe Rrugë: Një Shtyllë kryesore e Komunitetit Global të së Ardhmes së Përbashkët.”
Pak ditë përpara mbajtjes së forumit u publikua nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës: një libër të bardhë për nismën “Një brez, një rrugë”.
Publikimi i Librit i Bardhë për nismën “Një brez, një rrugë ”, është një trashëgimi për të ardhmen që garanton vijueshmërinë e kësaj nisme.
Libri i bardhë, me titull “Nisma ‘Një brez, një rrugë’: Shtyllë kyçe e bashkësisë globale me të ardhme të përbashkët”, thekson se nisma “Një brez, një rrugë”, një hap i madh i ndërmarrë nga Kina, synon të promovojë zhvillimin me cilësi më të lartë përmes hapjes me standarde më të larta dhe të ndajë mundësitë e zhvillimit të Kinës me pjesën tjetër të botës, vihet në dukje në këtë dokument.

Hidrocentrali në Kamborxhi i ndërtuar nga kompania kineze/CFP
BRI synon zhvillimin jo vetëm për Kinën, por për botën në përgjithësi. Globalizimi ekonomik mbetet një trend i pakthyeshëm. Është e pamendueshme që vendet të kthehen në një gjendje izolimi. Megjithatë, globalizimi ekonomik duhet t’i nënshtrohet rregullimeve si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Ai duhet të bëhet më i hapur, gjithëpërfshirës, i balancuar dhe i dobishëm për të gjithë.
Kina jo vetëm që ka përfituar nga globalizimi ekonomik, por edhe ka kontribuar në të. Si një pjesëmarrëse aktive në globalizimin ekonomik, Kina ka arritur rritje të shpejtë ekonomike përmes ndërveprimeve pozitive me pjesën tjetër të botës dhe ka eksploruar një rrugë unike drejt modernizimit, duke zgjeruar mundësitë për vendet e tjera në zhvillim për të arritur modernizimin. Rritja e shpejtë ekonomike e Kinës dhe progresi i qëndrueshëm në reforma dhe hapje ka ofruar një forcë të fortë shtytëse për stabilitetin dhe rritjen ekonomike globale, si dhe një ekonomi të hapur botërore.
Si një vend i madh në zhvillim që përmbush përgjegjësitë e veta, Kina mban parasysh të ardhmen dhe interesat e përbashkëta të njerëzimit. Prandaj, Kina ka propozuar ndërtimin e një komuniteti global të së ardhmes së përbashkët, me synimin për të krijuar një botë të hapur, gjithëpërfshirëse, të pastër dhe të bukur që gëzon paqe të qëndrueshme, siguri universale dhe prosperitet të përbashkët, duke hartuar një të ardhme të ndritshme për zhvillimin njerëzor.
Qëllimi përfundimtar i BRI është të ndihmojë në ndërtimin e një komuniteti global të së ardhmes së përbashkët. Si një e mirë publike e rëndësishme për përmirësimin e qeverisjes globale, nisma ofron një platformë për ta kthyer vizionin në realitet.
Një numër i madh projektesh infrastrukturore janë ndërtuar, duke shënuar përparim të konsiderueshëm për vendet pjesëmarrëse në ndërtimin e hekurudhave, autostradave, gazsjellësve, në sektorët e transportit detar, energjetikës, komunikacionit dhe objekteve të tjera bazë të shërbimit publik, sipas librit të bardhë.
Në krijimin e kapaciteteve për uljen e varfërisë në vendet pjesëmarrëse, Kina ka marrë një pjesë aktive në qeverisjen globale të ushqimit dhe bujqësisë, teksa vendet në zhvillim ende përballen me sfidën e problemeve që lidhen me ushqimin.

Treni me shpejtësi të madhe në Indonezi që u ndërtua nga kompania kineze/CFP
Më shumë se 2 000 ekspertë dhe teknikë bujqësorë janë dërguar në mbi 70 vende dhe rajone, dhe më shumë se 1 500 teknologji bujqësore, si orizi hibrid, janë paraqitur në shumë prej këtyre vendeve.
Sipas dokumentit, tregtia e Kinës në produktet bujqësore me partnerët e “Një brez, një rrugë” ka arritur në 139.4 miliardë dollarë amerikanë.
Me qëllim rritjen e punësimit, Kina ka ndihmuar në ndërtimin e parqeve industriale me vendet pjesëmarrëse dhe ka dhënë udhëzime për ndërmarrjet kineze për të krijuar vende pune për banorët vendas nëpërmjet bashkëpunimit industrial të nivelit të lartë në procesin e bashkëpunimit.
Janë arritur rezultate të dukshme në projektet për përmirësimin e jetës së njerëzve. Gjatë 10 viteve të fundit, ndërmarrjet kineze kanë nisur më shumë se 300 projekte për zbutjen e varfërisë, kujdesin shëndetësor dhe rehabilitimin, dhe projektet “Vatra e lumtur” në vendet pjesëmarrëse.

Treni me shpejtësi të madhe në Indonezi që u ndërtua nga kompania kineze/CFP
Vendet pjesëmarrëse do të vazhdojnë të lehtësojnë tregtinë, investimet dhe integrimin financiar përmes bashkëpunimit të nismës “Një brez, një rrugë”, thuhet në librin e bardhë.
Tregtia e investimet po zgjerohen në mënyrë të qëndrueshme. Nga viti 2013 deri vjet, vlera e importeve dhe eksporteve midis Kinës e vendeve të tjera të “Një brez, një rrugë” arriti në 19.1 trilion dollarë amerikanë, me një rritje mesatare vjetore 6.4 për qind. Investimi i dyanshëm midis Kinës e vendeve të tjera të nismës arriti në 380 miliardë dollarë, duke përfshirë 240 miliardë dollarë nga Kina.
Deri në fund të gushtit 2023, më shumë se 80 vende dhe organizata ndërkombëtare janë përfshirë në Nismën për Promovimin e Bashkëpunimit të Papenguar Tregtar përgjatë “Një brez, një rrugë”, të propozuar nga Kina. Kina kishte nënshkruar 21 marrëveshje të tregtisë së lirë me 28 vende dhe rajone.
· Forumi i 11-të i Global të Medias Video: Të forcohet bashkëpunimi mediatik
“Evoluar nga një propozim kinez në një konsensus global, ndërtimi i përbashkët i BRI ka lidhur botën, duke bërë që malet të mos jenë më të larta dhe rrugët jo më të gjata”, kështu tha Shen Haixiong, zëvendësministër i Departamentit të Publicitetit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe presidenti i China Media Group (CMG), në forumin e 11-të i Global të Medias Video, i cili u mbajt në Pekin të enjten(12.10) për të shënuar 10 vjetorin e BRI.
Si kryeredaktore e Medias gjeopolitike “Argumentum.al” pata nderin ta ndiqja drejtpërdrejtë si pjesëmarrëse në këtë forum Global të Medias të organizohet nga China Media Group (CMG) më 12 tetor 2023.

Shen Haixiong, presidenti i China Media Group (CMG), në forumin e 11-të i Global të Medias Video/CMG
Duke vlerësuar se media dhe gazetarët janë një urë e fortë ndërmjet vendeve dhe njerëzve në këtë komunitet global me një të ardhme të përbashkët, pa dyshim që media ka një rol të veçantë në ndërtimin e këtij komuniteti.
Në pikëpamjen time, duke u bazuar te historia e Rrugës së Mëndafshit dje, dhe “Iniciativa Brez dhe Rrugë” sot, mendoj se kjo iniciative e re me rrënjë të vjetra ka hapur rrugë të reja për rritjen ekonomike, duke u bërë rruga e mundësive për shumë vende.
Ndaj dhe në këtë Forum Global të Medias u theksua bashkëpunimi ndërkombëtar në epokën e re.
Promovimi i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në botë, si dhe përballja me sfida të tjera globale mund të trajtohen më së miri së bashku.
Si rezultat i rëndësishëm i forumit, CMG dhe 81 organizata mediatike në 42 vende lëshuan një Deklaratë mbi Veprimin e Përbashkët për organizatat globale të medias.
Deklarata u bën thirrje të gjitha enteve mediatike që të respektojnë parimet e hapjes, gjithëpërfshirjes, përfitimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të ndajnë burimet, përvojat dhe teknologjitë mediatike.
Të gjitha palët duhet të rrisin ndërveprimin e personelit, të thellojnë bashkëpunimin mediatik dhe të tregojnë së bashku historinë e Rrugës së Mëndafshit.
Për të promovuar bashkëpunimin mediatik, u lançua Programi Global Partner dhe mekanizmi i bashkëpunimit të Aleancës Mediatike të Lindjes së Mesme, i iniciuar nga një agjenci lajmesh nën CMG, në të cilën ishin përfshirë 18 organizata mediatike nga nëntë vende të Lindjes së Mesme.
Bashkëpunimi ekzistues mediatik ka prodhuar rezultate të shumta. Në forum, u publikua një dokumentar, “Thirrja e Rrugës së Mëndafshit”, i cili fokusohet në 14 vende që ndërtojnë bashkërisht Brezin dhe Rrugën.
U publikua një ngjarje e shkurtër globale e shfaqjes së videove që demonstron histori prekëse të Brezit dhe Rrugës, e cila filloi në prill. Kina ka shprehur vendosmërinë për ta bërë BRI një “rrip zhvillimi” në dobi të botës dhe një “rrugë drejt lumturisë” për njerëzit e të gjitha vendeve.
Si një aspekt i rëndësishëm, deklarata thekson se të gjitha palët e medias duhet të shfrytëzojnë ekspertizën kolektive për të krijuar një platformë për dialog dhe shkëmbim që kapërcen kufizimet gjeografike dhe dallimet kulturore dhe adreson nevojat zhvillimore.
“Ne jo vetëm që do të nxisim konvergjencën dhe inovacionin e medias, por gjithashtu do të kontribuojmë në adresimin e çështjeve globale, të tilla si ndryshimet klimatike, siguria ushqimore dhe mungesa e energjisë, ndërsa së bashku eksplorojmë zgjidhje për sfidat tona të zhvillimit”, thuhet në deklaratën e këtij forumi mediatik.
Cili është suksesi i këtij dhjetëvjeçari? Çfarë duhet vlerësuar në dekadën e parë të kësaj nisme?
Gjatë 10 viteve të fundit, bashkëpunimi “Një brez dhe një rrugë” ka bërë arritje historike, duke hapur një rrugë bashkëpunimi, mundësie dhe prosperiteti që çon në zhvillimin e përbashkët.
Ndërtimi i projekteve konkrete dhe jo plane ideologjike, apo planet gjeostrategjike që krijohen vetëm për të kufizuar vende/shtete të caktuara që të mos bëhen pjesë e nismave të vendeve konkurrente.
Në dhjetëvjeçarin e saj të parë Kina ka punuar për infrastrukturën e për të mbështetur lëvizjet e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve dhe ideve. Në fakt, portet më të suksesshme gjatë 10 viteve të fundit janë portet përgjatë Brezit dhe Rrugës.
Me rendësi mbetet dhe ndërlidhja politike, pasi në sajë të kësaj nisme, nëpërmjet komunikimit zyrtar të nivelit të lartë, marrëdhëniet politike midis Kinës dhe disa vendeve të vogla dhe të mesme evropiane janë forcuar në mënyrë efektive dhe nëpërmjet kësaj është promovuar zhvillimi i marrëdhënieve gjithëpërfshirëse midis Kinës dhe Evropës.
Sot në 10-vjetorin e saj, ky projekt ka dhënë rezultatet e saj të para të suksesshme në vendet që e kanë përqafuar këtë nismë.
Ndërsa bëhet një bilanc i një dekade të “Brez dhe Rrugë”, me rezultate të prekshme, ky forum mbi të gjitha shërben për të marre vendime të mëdha se si do të jetë ecuria e kësaj nisme më tej.
Me rastin e 10-vjetorit të zhvillimit të mekanizmit, kërkohet një linjë strategjike veçanërisht të qartë për të udhëhequr zhvillimin gjatë dekadës së ardhshme.
Marrëveshje konkrete, projekte dhe vendime u ndërmorën për të siguruar rrugëtimin e kësaj nismë në dekadën e dytë.

Forumi i tretë “Brez dhe Rruge” për Bashkëpunim Ndërkombëtar/Xinhua
Presidenti Xi, në fjalimin e tij në Forumin e tretë të Brezit dhe Rrugës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, përshkroi tetë hapa që Kina do të ndjekë për të avancuar iniciativën bazuar në konsultime dhe përfitime të përbashkëta, por gjithashtu tregojnë se “vetëm përmes bashkëpunimit të favorshëm mund të arrihen arritje të mëdha”.
1. Ndërtimi i një brezi shumëdimensional dhe rrjeti i lidhjes rrugore
2. Mbështetja e një ekonomie botërore të hapur
3. Kryerja e bashkëpunimit praktik për të mbështetur ndërtimin e një brezi dhe rrugësh me cilësi të lartë
4. Promovimi i zhvillimit të gjelbër
5. Përparimi i inovacionit shkencor dhe teknologjik
6. Mbështetni shkëmbimet mes njerëzve
7. Promovimi i bashkëpunimit të bazuar në integritet “Brezi dhe Rruga”.
8. Forcimi i ndërtimit institucional për bashkëpunimin ndërkombëtar Brez dhe Rrugë
Janë tetë shtylla kryesore që mbajnë të fortë e të sigurte “çatinë”e bashkëpunimit dhe prosperitetit.
“Brez dhe Rrugë ” merr garanci financiare
Konkretisht në ceremoninë e hapjes së forumit në Sallën e Madhe të Popullit, Xi premtoi se dy banka zhvillimi të mbështetura nga Kina – Banka e Zhvillimit të Kinës dhe Banka e Eksportit-Importit të Kinës – do të krijojnë secila 350 miliardë juanë (45 €, 3 miliardë) dritare financimi.
80 miliardë juanë shtesë (10 miliardë euro) do të investohen në Fondin e Rrugës së Mëndafshit të Pekinit për të mbështetur projektet e BRI.
Gjatë 10 viteve të fundit, rrjeti i bashkëpunimit Brez dhe Rrugë është shtrirë nga kontinenti Euroaziatik në Afrikë dhe Amerikën Latine, thuhet në deklaratë, duke shtuar se më shumë se 150 vende dhe mbi 30 organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar dokumente bashkëpunimi me Kinën.
Duke u fokusuar në lidhjen, Iniciativa Brez dhe Rrugë (BRI) ka promovuar fluksin e mallrave, kapitalit, teknologjisë dhe personelit në vende të ndryshme. Kina ka bashkëpunuar me palë të ndryshme për të realizuar më shumë se 3000 projekte praktike, duke tërhequr afro 1 trilion dollarë investime.
Gjatë forumit u dhanë gjithsej 458 rezultate, duke përfshirë një sërë propozimesh për bashkëpunim ndërkombëtar, dokumente të rezultateve të bashkëpunimit shumëpalësh, projekte praktike të bashkëpunimit dhe marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe.
Pra ndryshe nga skeptikët që besonin se Pekini ka hequr dorë nga BRI, Kina do të vazhdojë ta ndjekë atë. Forumi i tretë “Brez dhe Rrugë” pasqyroi arritjet dhe angazhimin e iniciativës për një bashkëpunim efektiv. Ky përkushtim shtrihet përtej infrastrukturës dhe shkëmbimit të ideve, teknologjisë dhe informacionit. Është një angazhim për të krijuar ura mirëkuptimi dhe për të nxitur një shoqëri te shëndoshe globale në të cilën të gjitha kombet mund të lulëzojnë.
Sikundër e hapa këtë artikull duke cituar Librin e Bardhë, po e mbyll po me një paragraf po nga ky libër dedikuar kësaj iniciative si udhërrëfyes për një dekadë të artë;
Iniciativa “Brez dhe Rrugë ” simbolizon komunikimin dhe bashkëpunimin midis Lindjes dhe Perëndimit, Rrugët e Mëndafshit mijëvjeçarë treguan se duke mbështetur solidaritetin dhe besimin reciprok, barazinë dhe përfitimin reciprok, gjithëpërfshirjen dhe mësimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin fitues, vendet e grupeve etnike të ndryshme, besimet, dhe prejardhje kulturore mund të ndajnë paqen dhe të arrijnë zhvillim së bashku./CRI




























































