Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot pas denoncimit të Partisë Demokratike se Manjola Cakoni e cila në tërmetin e 26 nëntorit humbi të afërmit e saj në Thumanë, është kërcënuar nga Kryeministria.
Presidenti Ilir Meta, ka publikuar videon akuzuese të Manjola Cakonit e cila flet për arrogancën qeveritare me familjet e të prekurve nga tërmeti. Kreu i shtetit bën apel për transparencë dhe ndihmë ndaj banorëve të prekur nga tërmeti.
“MJAFT me bullizëm qeveritar! Transparenca dhe dialogu janë detyrime të patjetërsueshme! Në mungesë të humanizmit, ndihmës dhe përkrahjes shtetërore, shqiptarët në nevojë nuk e meritojnë edhe arrogancën, fyerjen dhe papërgjegjshmërinë! Solidaritet me zonjën Manjola Cakoni dhe familjen e saj!”,- shprehet Presidenti Meta në reagimin e tij.
Në media dhe nga ish-deputetja e PD-së, Grida Duma, u publikuan dëshmi se Manjola Cakoni ishte fyer dhe kërcënuar nga zyrtarë të qeverisë, pas ankesave që kishte bërë për mungesën e ndihmave nga qeveria.
Në një video të publikuar dje nga ish-deputetja Grida Duma, Manjola Cakoni thotë se pas daljes në një intervistë televizive e kanë telefonuar nga Kryeministria dhe e kanë kërcënuar dhe fyer.
Manjola dhe Alesio Cankoni nga Thumana janë dy të mbijetuarit e vetëm nga familja e tyre që dikur përbëhej nga 4 pjesëtarë. Pas tërmetit kryeministri Edi Rama udhëtoi me Alesion drejt Italisë për një foto me futbollistin Ronadalo. Disa muaj më pas, në një intevristë për mediat, Manjola Cankoni deklaroi se nuk morën asnjë ndihmë nga qeveria përveç fotos së djalit me futbollistin. Ajo deklaroi se dhe shpenzimet e varrimit ishin paguar nga familja dhe jo nga shteti.
Pas kësaj interviste, Manjola deklaron se ka marrë kërcënime nga zyrat e qeverisë.
“Dje dola në televizor dhe tregova hallin tim, shqetësimin tim për vete dhe për fëmijën tim. Dhe kur pashe veten aty u ndjeva shumë keq, dhe pastaj kam shkuar në spital. Shkova në spital. Rrugës kur po vija nga spitali, më merr në telefon dikush nga kryeministria. Përgjigjet mami im, se unë isha e sëmurë dhe i thotë:” Turp të ketë Manjola!” “Turp të ketë Manjola!” Unë nuk besoj se kam bërë ndonjë turp. Kam kërkuar të drejtën time dhe për fëmijën tim. Asnjë gjë tjetër s’dua. Vetëm dua të drejtën time, për vete dhe për fëmijën tim dhe kaq. Ai i kishte thënë: “Edi jam. Edi Rama jam. ”Turp të ketë Manjola për atë që ka bërë sot. ”Unë isha e sëmurë isha me serum, isha shumë keq. Se po të isha në rregull do t’i thoja: Unë nuk kam bërë ndonjë turp, turp ke bërë ti, që më le mua më çove deri në këtë pikë. Sa të arrijë edhe të shkoj në spital. Ndoshta do që të vdes dhe unë dhe të bëhemi tre viktima tamam edhe t’i japësh lekë djalit tim. Kaq kisha”, tregon Manjola Cankoni.