Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar në lidhje me publikimin e indeksit të medieve.
Në një postim në rrjete sociale, Meta thekson se Shqipëria renditet e fundit në rajon për lirinë e medias.
“Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen median shqiptare edhe për këtë vit nën dhunën dhe censurën e Qeverisë dhe të klientëve të saj, si dhe nën kontrollin e oligarkisë. Hedhja në erë me tritol e bizneseve të pronarëve të mediave, mbyllja e televizioneve, përdorimi i armëve të zjarrit dhe dhunës brutale fizike ndaj reporterëve, gjobat e padrejta, censura dhe autocensura, ndalimet pa shkak, kërcënimet, shantazhet, mungesa e kontratave të rregullta të punës dhe keqpagesa, si dhe ndikimi politik nëpërmjet përcaktimit të linjave editoriale me fonde nga bota e errët e krimit dhe korrupsionit, është mjedisi ku punuan shumica e gazetarëve shqiptarë”, u shpreh Meta.
“Duke ndarë të njëjtat shqetësime të shprehura edhe në raportin e fundit të “Reporterëve Pa Kufij”, theksoj rëndësinë për një media të lirë, të pavarur dhe të përgjegjshme, që është thelbësore për çdo demokraci funksionale dhe të qëndrueshme. Media e lirë, e pavarur dhe në shërbim të interesit më të lartë publik, transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel, është një qëllim për të cilin duhet të përpiqemi dhe të bashkëpunojmë të gjithë. Jo më kot, Shqipëria renditet e fundit në rajon për lirinë e medias, ndaj më 14 Maj është koha për ndryshim”, shkruan Meta.
Shqipëria u rrit me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, publikuar nga organizata “Gazetarët Pa Kufij”, ku përfshihen 180 vende të botës.
Në treguesin që përfshin 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Në vitin 2021, Shqipëria radhitej në vendin e 83-të.