Të enjten, Byroja e Sigurisë Publike e qytetit Quanzhou të provincës Fujian të Kinës Jugore lëshoi një njoftim shpërblimi, duke kërkuar të dhëna ose dëshmi të aktiviteteve të paligjshme dhe kriminale të dy “ndikuesve” tajvanezë të internetit, Wen Ziyu (me nofkën në internet “Ba Jiong” ) dhe Chen Baiyuan (me nofkën “Minnanlang” ).
Më 26 mars, Wen Ziyu dhe Chen Baiyuan u përcaktuan nga Zyra e Çështjeve të Tajvanit e Këshillit të Shtetit të Kinës si ndihmës të forcave pro “pavarësisë së Tajvanit”.
Hetimet zbuluan se të dy kanë publikuar dhe përhapur prej kohësh në hapësirën kibernetike fjalë që nxitin separatizmin, duke përfshirë deklarata si “luftë kundër Kinës dhe mbrojtje e Tajvanit” dhe “mbështetje te ShBA-ja për të kërkuar pavarësinë”, kanë sulmuar dhe kanë bërë shpifje kundër politikave të favorshme të pjesës kontinentale ndaj banorëve në Tajvan. Ata gjithashtu kanë ngacmuar dhe përndjekur gratë nga pjesa kontinentale e Kinës që martohen në Tajvan, duke vepruar si “pararojë” në internet e Partisë Demokratike Progresive dhe e forcave perëndimore antikineze, duke shkaktuar ndikime shumë negative.
Autoritetet e sigurisë publike të pjesës kontinentale të Kinës deklaruan se shpresojnë që bashkatdhetarët në Tajvan t’i njohin rreziqet dhe dëmet e jashtëzakonshme të “pavarësisë së Tajvanit”, të ndërmarrin veprime konkrete për t’u ndarë qartazi nga forcat separatiste pro “pavarësisë së Tajvanit” e të ofrojnë aktivisht informacione në lidhje me aktivitetet e paligjshme dhe kriminale të tyre.
Sipas deklaratës, ata që ndihmojnë në arrestimin e dy të dyshuarve, do të shpërblehen me 50 000 deri në 250 000 juanë (më shumë se 7 000 deri në 35 200 dollarë amerikanë)./CGTN





























































