Kina dhe disa vende të Azisë Qendrore po planifikojnë të zhvillojnë një konstelacion satelitor për të ndarë të dhëna dhe për të trajtuar kërcënimet e përbashkëta, si tërmetet, dëmtuesit bujqësorë dhe përmbytjet akullnajore, shkruan “Xinhua”.
Marrëveshja e bashkëpunimit teknologjik u nënshkrua të enjten në Ekspozitën e 9-të Kinë-Eurazi që po mbahet në Urumqi, kryeqendër e Rajonit Autonom Xinjiang- Ujgur të Kinës Veriperëndimore. I quajtur “Konstelacioni Tianwu”, rrjeti i monitorimit hapësinor do të përbëhet nga një sistem fillestar prej pesë satelitësh, sipas shkencëtarëve të përfshirë në projekt.
Tong Qingxi, një specialist i teledeteksionit në Akademinë Kineze të Shkencave, tha se Xinjiang i Kinës, që kufizohet me disa vende të Azisë Qendrore, ka kushte gjeografike të ngjashme dhe kërcënime të përbashkëta gjeologjike me fqinjët e saj, të tilla si tërmete, rrëshqitje toke dhe përmbytje të shkaktuara nga shkrirja e akullnajave. Konstelacioni i përbashkët është projektuar për të adresuar nevojat e përbashkëta për parandalimin e fatkeqësive.
“Ky është një zbatim praktik i bashkëpunimit “Një brez, një rrugë” dhe një përpjekje e përbashkët për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”,- tha Tong.
Projekti është më shumë sesa një vendosje satelitore; është një sistem i integruar ajër-hapësirë-tokë që funksionon përmes koordinimit inteligjent.
Shkencëtarët thanë se të dhënat satelitore të mbledhura mbi rajon do të përpunohen nga një qendër kompjuterike në Xinjiang, ku do të zhvillohen modele të inteligjencës artificiale (IA) për parashikimin e fatkeqësive gjeologjike, zbulimin e dëmtuesve bujqësorë dhe monitorimin e shkrirjes së akullnajave.
Chen Xi, akademik i Akademisë Ndërkombëtare Euroaziatike të Shkencave, i cili ka studiuar prej kohësh gjeologjinë e akullnajave, vuri në dukje se Xinjiang dhe vendet fqinje të Azisë Qendrore janë të lidhura nga të njëjtat vargmale dhe akullnajat atje janë shkrirë me 20 deri në 40 për qind në vitet e fundit.
Sipas tij, monitorimi i rregullt dhe i saktë satelitor i ndryshimeve të akullnajave do të mbështesë ndarjen e burimeve ujore dhe sigurinë e furnizimit me ujë për rajonin.
Shkencëtarë nga Kazakistani, Uzbekistani dhe Taxhikistani morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit. Ata shprehën besim se projekti i përbashkët do të sillte përfitime të ndërsjella./CGTN




























































