Një zëdhënës kinez i mbrojtjes e kritikoi të martën dokumentin vjetor të mbrojtjes të Japonisë për përhapjen e të pavërtetave dhe trumbetimin e së ashtuquajturës “krize sigurie” në rajon.
Chen Xi, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës, i bëri këto komente në përgjigje të një pyetjeje lidhur me dokumentin e mbrojtjes të sapopublikuar nga Japonia, në të cilin etiketohen zhvillimet ushtarake të Kinës si një “sfidë strategjike e pashoqe dhe më e madhe ” dhe pretendohet se “Kina ka intensifikuar aktivitetet e saj ushtarake rreth Tajvanit”.
Ky dokument është i mbushur plot me thënie të rreme dhe i zmadhon qëllimisht të ashtuquajturën “krizë sigurie” në rajon dhe “kërcënimin nga Kina”, vuri në dukje Chen, duke shtuar që veprimet e Japonisë janë si ato të “hajdutit që thërret ‘Kapeni hajdutin'”, duke pasur si qëllim të vërtetë që të krijojnë një pretekst për zhvillimin ushtarak të Japonisë.
Kina është shumë e pakënaqur dhe i kundërshton fuqimisht veprime të tilla, tha ai.
Nën pretekstin e një “politike ekskluzivisht të orientuar drejt vetëmbrojtjes”, qeveria japoneze po e përshpejton rishikimin e tre dokumenteve të saj kryesore të sigurisë, duke rritur vazhdimisht shpenzimet e mbrojtjes, duke zhvilluar aftësi sulmuese me rreze të gjatë veprimi dhe duke nxitur armatimin dhe militarizimin e hapësirës dhe fushëbetejës, theksoi Chen.
Japonia madje po e përshkruan zgjerimin e industrisë së saj të mbrojtjes si një nxitës të rritjes ekonomike, në përpjekje për të ngulitur thellësisht zgjerimin ushtarak dhe përgatitjet për luftë në institucionet, ekonominë, industrinë dhe opinionin publik kombëtar të saj, shtoi ai.
“Militarizmi i ri” i Japonisë është bërë gjithnjë e më i rrënjosur, gjë që përbën një sfidë serioze për rendin ndërkombëtar të pasluftës, si edhe një kërcënim të vërtetë për paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale, tha Chen.
Çështja e Tajvanit ka të bëjë me sovranitetin e tërësinë territoriale të Kinës dhe përbën themelin politik të marrëdhënieve kino-japoneze, duke përbërë një vijë të kuqe që nuk duhet kaluar, theksoi zëdhënësi.
Chen i kërkoi Japonisë të reflektojë thellësisht mbi historinë e saj të agresionit, të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës dhe mashtrimin e publikut japonez e të bashkësisë ndërkombëtare, si edhe të mos të shkojë më tej në rrugën e gabuar të “rimilitarizimit”./cgtn





























































