Klodian Braho është zgjedhur sot drejtues i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me 7 vota në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Braho u përzgjodh mes katër kandidatëve dhe do të ketë një mandat trevjeçar, duke zëvendësuar në këtë detyrë Altin Dumanin. Në garë, Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj 1 votë, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.
Presidenti Bajram Begaj përcolli urimet për Brahon, duke e cilësuar drejtimin e SPAK një përgjegjësi të lartë dhe një mundësi për forcimin e besimit të qytetarëve te drejtësia. Ai vlerësoi gjithashtu rezultatet e arritura nga Altin Dumani gjatë periudhës së tij në krye të strukturës.
“Drejtimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit është përgjegjësi e lartë dhe njëkohësisht një mundësi për të forcuar besimin e qytetarëve te drejtësia”, u shpreh Begaj në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Presidentit, SPAK nën drejtimin e Altin Dumanit ka dhënë rezultate konkrete në këtë drejtim.
“Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon vendosmëri, integritet dhe guxim. Suksese në këtë mision të rëndësishëm për vendin”, shkroi Presidenti.
Kryeministri Edi Rama uroi gjithashtu drejtuesin e ri të SPAK, duke e përgëzuar për zgjedhjen dhe duke shprehur vlerësime për Dumanin për arritjet gjatë tre viteve të drejtimit. Rama siguroi se SPAK do të vazhdojë të ketë mbështetjen e shumicës qeverisëse për përmbushjen e misionit të tij.
“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij”, u shpreh Rama.
Kryeministri siguroi se “SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”.
Me votimin e sotëm, Klodian Braho merr drejtimin e SPAK për tre vitet e ardhshme.
/Argumentum.al





























































