Plenumi i pestë i Komitetit të 20-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) do të mbahet në Pekin në tetor, sipas një vendimi të marrë të enjten në një mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së.
Sipas rendit të ditës të plenumit, në të Byroja Politike do t’ia raportojë punën e saj Komitetit Qendror dhe do të studiohen çështjet kryesore mbi përparimin e vetëqeverisjes së gjithanshme dhe rigoroze të Partisë.
Xi Jinping, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së, kryesoi mbledhjen e së enjtes, ku u analizua dhe studiua situata aktuale ekonomike dhe u dhanë udhëzime për punën ekonomike në gjysmën e dytë të këtij viti.
Pavarësisht përparimit të rëndësishëm të bërë që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i PKK-së, vetëqeverisja e gjithanshme dhe rigoroze e Partisë përballet me rrethana dhe sfida të reja mes ndryshimeve të thelluara në mjedisin e jashtëm e atë të brendshëm dhe në kushtet me të cilat përballet Partia, u theksua në mbledhje.
Në të u bë thirrje gjithashtu për njohjen e plotë të rëndësisë së përparimit të palëkundur të vetëqeverisjes së gjithanshme dhe rigoroze të Partisë, për zbatimin e standardeve më të larta dhe marrjen e masave më konkrete për të trajtuar çështjet kryesore me të cilat përballet ndërtimi i Partisë, duke konsoliduar e ndërtuar një mjedis të shëndoshë politik përmes vetëqeverisjes së Partisë.
Në mbledhje u theksua rëndësia e ruajtjes dhe e forcimit të udhëheqjes së centralizuar dhe të unifikuar të Komitetit Qendror të Partisë, duke u përqendruar në përpjekjet për të forcuar kapacitetin qeverisës afatgjatë të Partisë, për të ruajtur natyrën e saj të përparuar dhe pastërtinë e saj, si edhe për të mbajtur lidhjet e ngushta të Partisë me popullin, duke iu përmbajtur pa lëkundje parimeve rigoroze dhe duke përmirësuar sistemet për ushtrimin e vetëqeverisjes së plotë dhe rigoroze.
Është e rëndësishme të sigurohet që PKK-ja të mbetet një parti qeverisëse marksiste plot gjallëri e që qëndron në ballë të kohës, gëzon mbështetjen e plotë të popullit, u reziston të gjitha sprovave dhe shërben si qendër e fortë udhëheqëse për ndërtimin e socializmit me karakteristika kineze, u kërkua në mbledhje./cgtn





























































