Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi sot kërkesat e Agjencisë Ndërkombëtare të Lajmeve “Associated Press”, Shoqërisë “Last News Media Network”, Televizionit “TV1 CHANNEL”, “ABC NEWS”, “Light Studio Agency” dhe “MCN TV”, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
Në seancën e sotme publike u shqyrtuan administrativisht edhe denoncimet e Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, të Komitetit Shqiptar të Helsinikit, si dhe të deputetes së PD-së, Albana Vokshi.
Në përfundim të shqyrtimit administrativ, për denoncimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe të deputetes Albana Vokshi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve urdhëroi ndalimin e ripostimit në faqet zyrtare të një institucioni publik, të aktiviteteve të cilat pasqyrohen në profilet personale të drejtuesit të një institucioni publik, për sa kohë këto profile i konsiderojnë profile të tyre personale.
Për denoncimet e tjera, Komisioneri do të shpallë vendimmarrjen në seancën e radhës.
Me kërkesë të subjekteve zgjedhore, u shty shqyrtimi i denoncimit të Partisë Socialiste ndaj subjektit zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për vendosje materiali propagandistik në Bashkinë Kavajë dhe shqyrtimi i raportit të Autoritetit të Medias Audiovizive të pasqyrimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të për periudhën 14 prill – 22 prill 2023.