Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, me zv.presidentin Kirill Gevorgian.
Kryeministri Rama publikoi në rrjetet sociale momente nga ky takim, ku shihet teksa shkëmben edhe dhuratat e rastit, sipas protokollit zyrtar.
Duke i falenderuar autoritetet e GJND (ICJ) për pritjen, Kryeministri Rama foli edhe për çështjen e hapur mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“Shqipëria i qëndron idesë së paraqitja e çështjes së zonave detare me Greqinë përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për t’u zgjidhur në bazë të parimeve ligjore, i shërben interesit të të dy palëve. Por, përpara se të hedhim këtë hap, duhet të arrijmë marrëveshjen e nevojshme për ta çuar këtë çështje në GJND dhe kjo marrëveshje ende nuk është arritur. Siç mund ta dini, kjo nuk është thjesht dhe vetëm një procedurë dakordësie ndërmjet avokateve dhe ekspertëve teknike të secilës palë. Ekipet tona respektive pranë ministrive përkatëse janë duke punuar dhe ne mbetemi të angazhuar për të ecur në këtë drejtim”, deklaroi Rama.
Në fund të takimit, Kryeministri Rama vizitoi edhe ambientet e Gjykatës dhe u njoh me një historik të shkurtër të institucionit.
Rama po zhvillon sot një vizitë në Hagë, ku më herët u prit në takime zyrtare nga Presidenti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Piotr Hofmański, kancelari Pieter Lewis, si dhe me kryeprokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan.
Një natë më parë Kryeministri Rama zhvilloi një bashkëbisedim në qendrën e mirënjohur “De Balie”, në Amsterdam.