Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se objektiv i qeverisë që ai drejton është rritja e të ardhurave për frymë në 10 mijë euro nga 6400 që është sot.
Gjatë një takimi me bluzat e bardha në Dibër, Rama u shpreh se po ashtu objektiv është edhe vendosja me ligj e nivelit të pagës minimale 60 mijë lekë brenda prillit të vitit 2025.
“Rritja e të ardhurave për frymë në vendin tonë thuajse është dyfishuar. E kemi marrë me 3400 euro dhe sot jemi në nivelin 6400. Por nuk mund të konsiderohet e përmbushur detyra jonë, nëse nuk e çojmë 10 mijë euro. Kemi rritur pagën minimale në nivelin 40 mijë lekë ndërsa brenda prillit të vitit 2025 do të shkojë 45 mijë lekë. Synohet që kjo pagë të shkojë 60 mijë lekë“, deklaroi Kryeministri.
Por për këtë, vuri në dukje ai, duhet rritur ekonomia, ndërsa renditi turizmin dhe energjinë si sektorët më me potencial.
“Duhet rritur ekonomia, sasia e parasë që mund të rishpërndajmë dhe jemi shumë optimist. Raporti i fundit i Bankës Botërore e veçonte Shqipërinë. Jemi optimist sepse kemi një potencial shumë të madh të pashfrytëzuar ende, që është turizmi. Bumi në turizëm sapo ka filluar, sot që flasim kemi të gjitha kapacitet të prenotuara. Dhe patjetër që turizmi është njëri aspekt. Aspekti tjetër është energjia, duke arritur të bëhemi sovran në prodhimin e energjisë dhe duke u bërë eksportues neto, nuk do të harxhojmë më para për të blerë energji jashtë dhe ato para do të rishpërndahen dhe do të shkojnë për investime për kapacitete më të larta”, tha kreu i Qeverisë.
Rama sërish theksoi se ishte optimist për gërmimet në Shpirag.
“Nëse do të arrihet të çlirohet naftë dhe gaz në Shpirag do të jemi në një nivel tjetër. Shpresoj të kemi lajme të mira në muajt në vijim dhe pastaj flasim për një tjetër nivel ekonomie”, deklaroi ai.