Kryeministri Edi Rama uroi sot besimtarët katolikë për festën e Pashkës.
“Mirëmëngjes dhe me ditën e Ringjalljes së Krishtit, që celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun, ju uroj gëzuar Pashkën Katolike”, shkroi kryeministri Rama në rrjetet sociale.
Besimtarët katolikë kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit, një nga momentet më të rëndësishme në kalendarin e festimeve për besimtarët katolikë.
Pashkët paraprihen nga koha parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë që quhen Kreshmë që fillon nga e “Mërkura e Përhime”, dhe mbaron të dielën e Palmave, e diela e fundit para ditës së Pashkës. Gjatë kohës së Kreshmës, përkujtohen ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit në lutje e agjërim.