Kuvend i 30 prillit hap një kapitull historik, kapitullin e marshit tonë drejt fitores!

Nga Sali Berisha*

Të dashur demokrate dhe demokratë, shqiptarë kudo që jeni, do filloj fjalën time me një mirënjohje të pakufishme ndaj jush se qëndruat ju në idealet tuaja më të larta njerëzore. Ne jemi sot këtu më të fortë se kurrë, rrofshi ju, zoti ju bekoftë!

Të dashur delegate dhe delegatë, të Kuvendit të Partisë Demokratike të Rithemeluar, përshëndetjet më të përzemërta. Vini sot këtu si misionarë të vërtetë, të kontribuoni në punimet e këtij Kuvendi përcaktues jo vetëm për fatin e PD, por të demokracisë, pluralizmit dhe lirive të shqiptarëve.

Të dashur ish-rithemelues të PD, deputetë, drejtues dhe ish-drejtues të saj, ju përshëndes sot në këtë sallë, por përshëndes themeluesit e kësaj partie që ndodhen sot në Shqipëri dhe jashtë vendit, nderim përjetë për kontributin tuaj.

Të dashur Albana, Belind, Bislim, drejtues të organizatave partnere të PD, jam sot para jush për t’ju garantuar ju se me këta delegatë, se me drejtimin e ri të Partisë Demokratike, do të bëjmë gjithçka që të rinjtë, gratë, zonjat, zonjushat të dalin sa më shumë në krye të kësaj partie, si rruga më e sigurt e fitores së saj.

Të dashur miq dhe të ftuar, të pranishëm në këtë sallë,

i dashur Lord James Wharton,

i dashur Tobias Andersson, deputet i Partisë Konservatore suedeze,

i dashur Martin, miku im i përhershëm,

i dashur Virgilio, president i të rinjve Konservatorë të Bashkimit Ndërkombëtar Demokrat, miq dhe të ftuar, prania juaj sot është një nder i madh, por për mua është një rast gjithashtu të shpreh falënderimet dhe mirënjohjet e pakufishme partive tuaja dhe udhëheqjeve të tyre, që në fillimet e saj, në ditët dhe hapat e para të kësaj partie si parti anti-komuniste. Partitë tuaja kanë qenë mbështetëset më kryesore. Një mirënjohje dua t’i shpreh këtu presidentes Meloni, për letrën e saj miqësore me të cilën përshëndeti Kuvendin tonë.

Zonja dhe zotërinj,

demokratet dhe demokratët shqiptarë mblidhen sot në këtë Kuvend krenar me forcën e tyre politike, me trashëgiminë e saj. Ajo përmbysi një prej diktaturave më të egra në botë, nxori shqiptarët nga mbretëria e frikës në mbretërinë e lirisë, nga hapësirat e izolimit total, në hapësirat europiane dhe euroatlantike, nga diktatura e urisë e hiperkolektivizmit të plotë, në ekonominë e tregut. Në mblidhemi krenar sepse pas një eksperience unike në historinë e një force politike në Europë. Patëm një ditëlindje të dytë me 11 dhjetor të vitit 2021, me një Kuvend historik rilindi përsëri Partia Demokratike. Kjo parti nuk vdes kurrë. Ajo jeton dhe do të jetojë me idealet më fisnike të lirisë së shqiptarëve. Ju e rithemeluat atë sepse doni të fshini nga faqja e dheut regjimin e bazuar në krimin, drogën, urrejtjen ndaj shqiptarëve. Ju u bashkuat dhe rithemeluam së bashku Partinë Demokratike, sepse ne donim që kjo parti ashtu siç lindi të mbetej avokate e pamposhtur e vlerave më të arrira konservatore tradicionale të shqiptarëve. Ne u rithemeluam sepse ne donim të vendosur të mbrojmë interesin kombëtar të shqiptarëve, të nëpërkëmbur nga një albanofob bastard i nomenklaturës së vjetër komuniste që shkelmon mbi dinjitetin dhe interesat e shqiptarëve, Edi Rama.  

Ne u rithemeluam sepse kulti ynë është vota e lirë, thelbi i dinjitetit tonë është liria. Ne u themeluam të vendosur se për demokratët shqiptarë do vendosin vetëm ata me votën e tyre të lirë. Ne u rithemeluam të sigurt se ashtu siç përmbysëm 30 vite më parë diktaturën staliniste më të egër të Europës, do përmbysim së shpejti tiraninë e narkoshtetit të vetëm në Europë, tiraninë e baronëve të drogës të kryesuar nga Edi Rama.

Miqtë e mi, rruga e rithemelimit të PD që nisi me Foltoret si fole e lirisë e njerëzve të lirë, ishte një rrugë që na u imponua. Kjo rrugë jetike dhe shpëtimtare për ne dhe demokracinë e vendit u imponua sepse ne në 8 vite po kalonim nga disfata në disfatë, nga zhgënjimi në zhgënjim, nga dështimi në dështim. Të gjitha këto, për shkak të një udhëheqje, të një drejtuesi të papërgjegjshëm, Lulzim Basha, i cili e konsideroi këtë parti si sipërmarrjen e tij private, i cili parimet dhe vlerat konservatore i zëvendësoi me pazaret dhe bizneset me qeverinë, i cili së fundmi përfundoi i ngërthyer nga të gjitha anët dhe u vërsul me tërbim me vendime, me praktika, me qëndrime fund e krye anti-demokratike, shkelmoi sovranitetin e PD, forumet, statutin, anëtarësinë e saj. Ne, pas zgjedhjeve të 25 prillit të cilat ishin zgjedhjet më të dhunuara në historinë e Shqipërisë, ky zotëri në vend që të merrte përsipër avokatinë e votës, mbrojtjen e saj, filloi pazaret me narkoqeverinë, votoi borxhet dhe në mënyrën më skandaloze bllokoi komisionin hetimor të zgjedhjeve. Duke tradhtuar në këtë çdo demokrate dhe demokrat që votoi për Partinë Demokratike.

Të dashur miq,

nëse këto ishin qëndrime të papërgjegjshme të dënueshme të ish-drejtuesit të kësaj partie, përsëri Partia Demokratike për të cilën filluan të flasin dhe të shkruajnë se duhet të shuhet, duhet të shkrihet, sepse ajo është vite dritë larg misionit të saj, sepse ajo është shndërruar në një pseudopozitë, këto nuk ndodhën për arsye se 620 mijë shqiptarë të cilët e sollën atë me 25 prill forcën politike më të madhe në Europën ish-komuniste, vendosën të mbushin sallën, sheshet dhe të rithemelojnë atë, të shpëtojnë atë, por njëkohësisht edhe demokracinë shqiptare.

Të dashur miq,

nuk e kishim të lehtë këtë rrugë. Ne u përballëm këto muaj me të gjithë egërsinë e narkoshtetit, miliardat e parave të drogës dhe krimit. U përballëm këto muaj me kurthet e neveritshme të ish-drejtuesit të saj. Por e vërteta, u përballëm me përpjekje të jashtëzakonshme të George Soros dhe mafies së tij, për të shkatërruar opozitën shqiptare, për ta shndërruar atë në një gjethe fiku të të majtës shqiptare dhe Edi Ramës. Por këto përpjekje dështuan dhe unë me këtë rast dua t’u them të gjithë atyre që mendojnë apo besojnë se mund të mbajnë një pseudo-opozitë në këmbë, gaboheni rëndë. Opozita është moral, është para së gjithash pushtet moral, ajo nuk emërohet, ajo nuk delegohet, ajo buron nga shpirti dhe zemra e atyre që t’i i përfaqëson dhe mbron interesat e tyre. Ata janë burra dhe gra, të rinj dhe të reja të thjeshtë në punët e tyre, por në ndërgjegjen e tyre politike ata nuk pranojnë kurrë, e dinë se pseudo-opozita është si lëvozhga e një fruti pa frut, se pseudo-opozita është thjeshtë një limon i shtrydhur nga i cili që pasi plotëson shijet, bën sikur s’e njeh më, se pseudo-opozita është një fasadë ku askush nuk do të banojë. Ndaj dhe ja ku jemi sot, opozitë e vërtetë, në këmbë dhe të gatshëm për çdo betejë.   

Përsëri lidhur me këtë çështje dua të shtoj 2-3 gjëra. Është bërë e njohur që unë jam sanksionuar nga DASH, nga akuza për të cilat në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë fakt, provë, dokument. Jam sanksionuar nga lobimi korruptiv i George Soros dhe Edi Ramës. Megjithatë, unë them këtu se cilido që të paraqesë një fakt, një dokument, një provë, më të voglën kundër Sali Berishës, ai është i gatshëm të marrë çdo masë ndaj vetes së tij. Por duke u zotuar për këtë gjithashtu theksoj: Unë jam Sali Berisha! Kurrë shpifjen, gënjeshtrën nuk e pranoj për të vërtetë! Jam mirënjohës pakufi ju që ndani këtë qëndrim.

Kemi muaj që për shkak të këtyre ndërhyrjeve ne merremi me veten tonë, por ky Kuvend shënon fundin e këtij kapitulli, ky Kuvend hap kapitullin e përballjes me qeverinë më të korruptuar të Europës, me qeverinë më të inkriminuar të Europës, me qeverinë e shndërruar në organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama, kryeministri absolutisht më i pashkollë në historinë e shtetit shqiptar. Po dhe po! Shqipëria në të katër anët e saj ulërin, shoqëria shqiptare në të katër anët e saj lëngon. Edi Rama me burgosjen, dhunën, terrorin, varfërimin vret shpresën në çdo skaj, votër, rrugë, shesh, fshat dhe çdo qytet të Shqipërisë. Ndaj dhe ne para së gjithash dhe mbi të gjitha, duhet të bëjmë gjithçka për t’iu rikthyer të rinjve në radhë të parë dhe pastaj të gjithë shqiptarëve shpresën. Detyrë e vështirë, por plotësisht e mundshme. Shqipëria, 8 vite mbeti aty ku ishte në procesin e integrimit. Shqipëria në këto vite thirret rëndom “Kolumbi e Europës”, “kanabistan”. Shqiptarët në këto 8 vite zbritën nga qytetarët më të paguar të rajonit te qytetarët më pak të paguar. Pandemia e COVID që pllakosi Europën dhe Botën, mori jetë dhe shpirtra njerëzish në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër të Europës, dhe një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë të botës. Të gjitha këto sepse shqiptarët sot kanë numrin më të ulët të personelit shëndetësor për frymë. Të gjitha këto sepse personeli shëndetësor ka pagat më të ulëta në Europë. Të gjitha këto sepse ata kanë numrin e shtretërve në reanimacionet në spitalet COVID më të ulëtat në Europë.

Lufta që monstra me fytyrë njerëzore, Vladimir Putin ka ndërmarrë ndaj Ukrainës, duke ndërsyer rusët si ‘Kain’ kundër vëllezërve të tre ukrainas krijoi në Europë një krizë të pamohueshme energjetike. Krijoi në Europë një krizë të pamohueshme edhe në çmimet e ushqimeve. Por në Shqipëri e cila drejtohet nga organizata kriminale më e rrezikshme e kontinentit, pasojat e kësaj krize u ndjenë 3 herë më shumë se në çdo vend tjetër të kontinentit, përfshirë këtu Ukrainën që lufton. Të gjitha këto, pse? Sepse qeveria përdor krizën, qeveritarët përdorin krizën për pasurimin e tyre. Në Shqipëri 98% e energjisë prodhohet nga uji me koston më të ulët në Europë dhe shitet më një çmim nga 95 deri në 185 herë më të lartë qytetarëve shqiptarë. Por pse atëherë kjo krizë? Sepse qeveria shet duke përvetësuar me çmime tre herë më të ulëta se Bursa dhe blen në Bursë me çmime tre herë më të larta se sa të tjerët.

Një shkatërrim të plotë ka sot sistemi arsimor. Gjithçka mbulohet nga një propagandë vulgare, banale sipas ligjit gënje, gënje se diçka do të besohet. Sot para shqiptarëve ka vetëm një alternativë dhe kjo është Partia Demokratike e rithemeluar mbi vlerat konservatore. Po, unë mendoj se ne kemi nisur rrugën e duhur, sot këtu midis nesh ne kemi 70 kryetarë të degëve të PD të zgjedhur për herë të parë me një anëtar, një votë. Të gjithë ata shkëlqejnë sot në këtë sallë, sepse firmosën fundin e kryetarokracisë. Asnjëri prej tyre, asnjëri prej 197 kandidatëve që garuan nuk u emëruan nga kryesi, nuk u emëruan nga kryetari, që të gjithë u propozuan nga anëtarësia apo u vetëdeklaruan sipas Kushtetutës tonë të lirisë, Statutit të PD të 11 Dhjetorit të vitit 2021.

Miqtë e mi,

rezervat tona, potenciali ynë, është liria. Pasuritë e saj janë vlerat konservatore, ndaj dhe ne betejën tonë me këto mjete, me këto vlera do ta vazhdojmë deri në triumfin e tyre të plotë në Shqipëri. Modeli që zgjodhëm të përfaqësimit do ta konsolidojmë, votën e lirë do ta konsolidojmë, por mos harrojmë se ne u themeluam si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore. Ajo që sollëm ne në vitin ’90 ishin ato që mungonin. Mungonte vota, e drejta e fjalës, e besimit fetar, e drejta e pronës, mungonte dinjiteti njerëzor. Po sot, do të thoni ju, nga do ta nisim? Përsëri do ta nisim nga liritë dhe të drejtat njerëzore. Sepse këto vite ato njohën trysnitë më të mëdha, dhunimet më të thella. Mos harroni se përsëri shqiptarët e lirë në një mënyrë ose një tjetër, e gjetën veten në mbretërinë e frikës. Mbi 38 mijë prej tyre u arrestuan brenda një viti për faturën e dritave dhe të ujit. Para të mëdha vërshuan drejt mediave dhe deformimit të informacionit. Banda, vrasës, pengmarrës u rekrutuan në Policinë e Shtetit. Po ne si opozitë ku ishim? Ne nuk iu dolëm zot shqiptarëve, kjo merr fund. Ne do të jemi aty ku do të shkelet çdo e drejtë e qytetarëve shqiptarë, aty ku dhunohet e drejta lind protesta, lind qëndresa. Apatia e opozitës merr fund.

Miqtë e mi,

nuk ka liri dhe të drejta të garantuara pa shtet ligjor, pa sistem drejtësie. Sot shteti ligjor në Shqipëri është inekzistent. Për dhjetëra e dhjetëra vite, institucionet e drejtësisë nuk ekzistonin më. Sot qytetarët shqiptarë sipas raporteve serioze ndërkombëtare nuk kanë më të drejtën e një procesi ligjor të drejtë. Kjo sepse drejtësia është e tëra nën kontrollin e ekzekutivit, sepse nga ajo që na serviret sukses-reforma për vakumin që krijoi u grumbulluan mbi 120 mijë dosje të cilat duan të paktën 20 vite për t’u shqyrtuar. Sot, ryshfeti për të afruar dosjen në një afat të pranueshëm është më i lartë se kurrë në historinë e këtij vendi. Përndryshe, drejtësi këtu nuk merr. Ne zotohemi, nesër në pushtet, me institucionet më të mira amerikane dhe europiane, do të bëjmë gjithçka të zhdukim sa më parë pasojat katastrofale të kësaj reforme të korruptuar. Të rikthejmë ligjin, të rikthejmë të drejtën e shqiptarëve për proces të ndershëm gjyqësor. Të rivendosim shtetin ligjor, sigurinë ligjore, si kushte të të gjitha kushteve për të patur një shoqëri të lirë, një individ të lirë. Si kusht të të gjitha kushteve për të patur treg të lirë, për të patur investime, për të ecur në procesin e integrimit.

Sot 50% e shqiptarëve lëngojnë në varfëri. Mjerimi apo varfëria ekstreme është rritur 3-4 herë. Pagat dhe pensionet janë bërë qesharake. Me të drejtë secili prej jush dhe demokrat e demokrate, çdo qytetar shtron pyetjen: Si do ta ndryshoni ju gjendjen kaq të rëndë? Përgjigjja është një dhe vetëm një: Ne këtë gjendje do të ndryshojmë dhe i japim fund. Sepse së pari do të ndezim motorët e entuziazmit të tregut. Ne që sollëm tregun e lirë. Mos harroni se 30 vite më parë ne vendosëm taksën të dytën të ulët në botë. Ne jemi parti e taksave të ulëta. Eksperienca jonë na mëson se rruga më e sigurt e rritjes së të ardhurave është ulja e taksave. Garantoj shqiptarët dhe bizneset se Shqipëria do të jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë. Jo vetëm kaq. Por ky është vend i bekuar. Nëse kthen sytë nuk ka një vend tjetër me pasuri natyrore më të mëdha se Shqipëria, por ato po grabiten, plaçkiten çdo ditë nga qeveria dhe klientela e saj. Ajo merr fund. Këto pasuri përrallore do të shndërrohen të gjitha në burime të fuqishme zhvillimi dhe të ardhura për shqiptarët.

Miqtë e mi,

në 8 vite KLSH ka faktuar se qeveria e Edi Ramës ka përvetësuar dhe shpërdoruar 8.2 miliardë euro. Shumë kjo e jashtëzakonshme për Shqipërinë. Shumë kjo me të cilën mund të rriteshin 3-4 herë rrogat dhe pensionet e shqiptarëve. Shumë kjo e cila në investime do të konvertohej në zhvillimet më moderne në këtë vend. Kjo praktikë merr fund. Lufta me zero tolerancë ndaj korrupsionit, transparencë e plotë është zotimi ynë. Përsëri ku do t’i gjejmë ne fondet? Si do ta nxjerrim ne këtë vend nga kjo katastrofë në të cilën e ka zhytur ky regjim kleptokratik? Ronald Regan shkruante: “Qeveria është problemi”! Duke besuar plotësisht dhe zbatuar këtë parim në vitin 2013 ne lamë një administratë të vogël dhe efiçente prej 93 punonjësish në mbarë vendin. Sot kjo administratë shushunjash ka 220 mijë rrogëtarë. Që të gjithë këta një lukuni mbi supet tuaja, mbi të ardhurat tuaja. Ne nuk jemi dhe nuk duam të shohim njeri të varfëruar, por nga varfëria nuk dilet kurrë me parazitizëm, nga varfëria nuk dilet kurrë duke vendosur në një detyrë 5 vetë që pengojnë njëri-tjetrin. Qeveri e vogël, administratë e vogël, administratë efiçente do të jetë zotimi ynë, do të jetë burim tjetër i të ardhurave tona për të rritur rrogat, pensionet, investimet për shqiptarët.

Të dashur miq,

ne jemi themeluar si parti e pronës dhe pronarëve. Kjo parti shndërroi 220 mijë shqiptarë në pronarë të apartamenteve të tyre. Kjo parti shndërroi 460 mijë fermerë në pronarë të tokave. Kjo parti shndërroi qindra e mijëra shqiptarë në pronarë të bizneseve. Nuk them se nuk ka patur gabime. Gabime ka patur, padrejtësi ka patur, por respektimi i pronës private ka qenë parim madhor i yni. Çfarë ndodh këto 8 vite? Janë rikthyer ligjet që imitojnë ’46-ën. Janë votuar ligje që marrin për standard, standardet e 46-ës. Janë votuar ligje të cilat de facto konfiskojnë apo lejojnë dorën mafioze të shtetit të konfiskojë brigjet nga Velipoja te Kepi i Stillës. Në një akt të parë të gjitha këto do të anulohen. Ju jap fjalën pronarëve shqiptarë se do të bëhet gjithçka për rikthimin e pronave të tyre. Dhe se aty ku është e pamundur, ato do të kompensohen jo me standardet e 46-ës, por me standardet e tregut të vitit që ato do të kompensohen. Ky do të jetë qëndrimi ynë ndaj pronarëve.

Familja shqiptare është në stres të madh, është në shpërbërje, në vështirësi që s’i ka njohur kurrë më parë. Jeton me vështirësitë e jetës së përditshme, jeton me mallin e pashuar të fëmijëve që detyrohet t’i përcjellë rrugëve të botës nga mosha 15-vjeçare e tutje. Ne si konservatorë zotohemi se në epiqendër të përpjekjeve tona do të kemi mbështetjen për familjen, rolin dhe vlerat e saj. Familja shqiptare është dhe do të mbetet votra e shoqërisë sonë.

Ne u themeluam në vitin ’90 si parti e interesit kombëtar. Partia tjetër ishte themeluar si parti e interesit Jugosllav. Kjo është e vërteta historike. Në vitet tona, në opozitë dhe pushtet, pa marrë parasysh asnjë çmim, ne mbrojtëm interesin kombëtar, dhamë kontribut të pazëvendësueshëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, Malin e Zi dhe Preshevë.

Në këto 8 vite, Tirana është shndërruar në epiqendër, në vasale të Beogradit. Edi Rama është sot njeriu që i bën tualet më shumë se kushdo tjetër Gebelsit të Millosheviçit që e ka emrin Aleksandar Vuçiç. A e dini ju miqtë e mi se në tryezat diplomatike të nivelit më të lartë, kryeministra dhe kryetarë shtetesh hapin sytë kur e dëgjojnë Edi Ramën të flasë me aq pasion Aleksandar Vuçiçin, njeriun që nuk njeh gjenocidin e sanksionuar nga dy vendime gjykatash në Bosnje. Njeriu që nuk njeh gjenocidin në Kosovë. Njeriu që punon haptazi për Serbinë e Madhe. Ne jemi dhe do të jemi për bashkëpunim rajonal. Jemi dhe do të jemi e do të bëjmë gjithçka për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ne kurrë nuk mund ta shndërrojmë Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohtë ndaj Kosovës. Ne s’do pranojmë kurrë Ballkanin e Hapur, një aleancë trilaterale antishqiptare, një aleancë e cila është fund e krye në shërbim të Serbisë së Madhe. Aleancë që është fund e krye në shërbim të influencës ruse në rajon. Koha po provon se miku i ngushtë i Edi Ramës, Vuçic, padroni i tij absolut, ka rikthyer Serbinë me politikën e tij ashtu siç ka qenë 100 vite më parë, një Rusi e Vogël në rajon. Megjithatë, ne jemi në këmbë për t’i thënë këtij serbomadhi se çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do të përballet me reagimin e kombit shqiptar si komb i vetëm. Ka ikur koha kur ne na impresiononin. Asgjë s’na impresionon ne. Do paqe, bashkëpunim, jemi të hapur. Kërcënimet mbaji për vetë se atë fat që do të pësojë Putini në Ukrainë do ta kesh edhe ti në çdo aventurë tënden në Kosovë dhe çdo vend tjetër.  

Ne jemi një komb ku 3-4 e shqiptarëve banojnë jashtë Shqipërisë, përveç Kosovës që kanë shtetin e tyre dhe shqiptarëve në Maqedoni e Malin e Zi, miliona shqiptarë jetojnë në Europë, SHBA, nga Afrika e Jugut në Alaskë e kudo. Ne sot megjithë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm mbajmë një qëndrim, Shqipëria mban një qëndrim ndaj tyre, të ngjashëm deri diku me qëndrimin që mbante diktatura Hoxhiste. Nuk i ndalon të vijnë në Shqipëri, por sot jemi vendi i vetëm në Europë që nuk i lejojnë të votojnë për vendin e tyre. Të marrin pjesë në votime siç votojnë bashkatdhetarët e të gjitha vendeve të tjera kudo që janë. Në vitin 2013 ne dërguam ligjin për votimin e ligjit të emigracionit dhe diasporës. Edi Rama nxori karton të kuq, do të bojkotoj zgjedhjet. Unë garantoj diasporën dhe emigracionin se Shqipëria nuk do të votojë më kurrë pa votën tuaj. Se ne do mbushim rrugët dhe sheshet e Tiranës për të drejtat e patjetërsueshme kudo që janë. Imagjinoni ju ata burra dhe gra, të rinj dhe të reja që këto 30 vite kanë nisur djersën, mundin e shpirtin, miliarda euro në Shqipëri dhe janë shndërruar në faktor kryesor në mbështetjen e familjeve shqiptare. Por edhe në bilancin tregtar të këtij vendi atyre nuk iu njihet asnjë e drejtë nga Shqipëria. Përkundrazi ka dhjetëra e mijëra prej tyre të cilët vuajnë shumë për të kthyer shtetësinë e tyre. Këto marrin fund. Shqiptarët kudo që janë do të kenë shtetësinë shqiptare. Shqiptarët në Kosovë, në një marrëveshje me qeverinë e Kosovës do të gëzojnë shtetësinë, njësoj si qytetarët shqiptarë këtu.

Miqtë e mi,

këto 8 vite koha pothuaj ka ndaluar në raportin me integrimin ne BE. Dhe kohën arrin ta ngadalësojnë dhe ndalojnë vetëm diktaturat. Ato operojnë me kohën në mënyrë mizore. Në pamje të parë ne nuk jemi diktaturë, por de facto jemi, jemi tirani krimi, droge dhe kleptokracie. Përndryshe koha nuk do të ndalonte kurrë. Përndryshe negociatat do të ishin hapur 6 vite më parë me BE-në. Përndryshe këto negociata do të hapeshin çdo vit, por problemi është se Edi Rama shkelmon çdo ditë standardet, kriteret, vlerat që bashkojnë kombet europiane. Edhe në këtë drejtim, largimi i tij është imperativ i të gjithë imperativëve. Pra, sot ne kemi programin tonë, programin e vlerave më të arrira, më të mira. Sot ne jemi forcë sovrane konservatore e cila jeton në të drejtën e idealeve konservatore të shqiptarëve, të cilën  edhe njëherë theksoj, as e majta e Soros, as e majta botërore, s’do munden kurrë ta mposhtin. Jo dhe jo. Cilido që do bashkëpunim me ne, mbi bazën e vlerave, ne jemi të gatshëm. Ne qëndrojmë të vendosur në idealet dhe liritë tona.

Të dashur delegate dhe delegatë,

ky Kuvend hap një kapitull historik për ne, kapitullin e marshit tonë drejt fitores. Shumë diskutojnë dhe pyesin; “Ku mundet Edi Rama”? A nuk jemi ne së bashku që e kemi mundur tre herë atë? Edhe 6 herë të tjera do ta mundim. Por, ky marsh, ky udhëtim kërkon nga ne që të bëjmë gjithçka për mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, para së gjithash për mendjet dhe zemrat e atyre demokratëve që mund të jenë të ftohur, mund të jenë edhe në hatërmendje, edhe të hidhëruar.

Miqtë e mi,

sot kemi këtu dhjetëra e qindra delegatë, me të cilët para 6 marsit ishim në pozicione të ndryshme. Më lejoni t’i falënderoj me mirënjohje të thellë për praninë e tyre në këtë sallë. Ata e bënë PD-në më të bashkuar, më të fortë, më të hapur se kurrë. Është i mirëpritur çdo demokrat në shtëpinë e tij. Por e rëndësishme është që të rendin, të shtrijmë dorën ndaj çdo demokrati dhe demokrate që nga viti ’90 e deri sot ta ftojmë të kthehet te kontributi i tij, ta ftojmë të japë kontribut tjetër për fitoren e PD. Dhe ju do ta shihni këtu që ne nuk do të jemi 40-50 mijë, por ju garantoj 2-3 fishin e këtyre. Kjo është parti me histori.

Sot me misionin tonë hapja dhe vetëm hapja është dhe do të mbetet Leva e Arkimedit për të ndryshuar Shqipërinë. Sot Shqipëria ka qindra e mijëra të rinj, të reja, të mirëshkolluar, atdhetarë, patriotë që duan energjitë e tyre t’i derdhin për këtë vend. Por të shpërfillur, të papërfaqësuar ata largohen nga Shqipëria çdo orë, çdo ditë më shumë. Jemi shndërruar në një komb që lind fëmijë për emigracion, kjo është e vajtueshme. Por kësaj ne duhet t’i japim fund dhe ne i japim fund kësaj duke bashkuar me ne mijëra e mijëra të rinj, me programin tonë, duke krijuar hapësirat për ta, duke ftuar dhjetëra e mijëra të tjetër nga diaspora dhe emigracioni, të kontribuojë në këtë program. Ndaj dhe në vend të një kombi që lind fëmijë për emigracion, le të shndërrohemi që lind fëmijë për të stolisur të bukurën e dheut, për të stolisur Shqipërinë!

Rroftë Shqipëria!

Rrofshi Ju!

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!

*Fjala në Kuvendin Kombëtar të PD e liderit historik, Sali Berisha