Kuvendi hapi sot punimet e sesionit të VI të legjislaturës së X me himnin kombëtar, por pas kësaj deputetët e opozitës bllokuan foltoren e kuvendit duke u vendosur me pankarta në duar, duke u rënë bilbilëve ndërsa kërkuan largimin e gardës.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla kërkoi që seancës t’i drejtohet me fjalë Presidenti Bajram Begaj por deputetët e opozitës nuk lejuan vijimin e seancës.
Deputeti Gazment Bardhi duke i ndërprerë fjalën Nikollës kërkoi nxjerrjen jashtë të Gardës. Ndërsa u kërkoi disa herë deputetëve të opozitës të ulen në vendet e tyre, Nikolla u shpreh se nëse ata ulen në vende do të largohet edhe garda. “Uluni ju të parët dhe garda do të largohet”, tha Nikolla.
Ndryshe nga seancat me flakadanë, këtë seancë deputetët e Rithemelimit përdorën bilbilë duke penguar vijimin normal të punimeve të Kuvendit.
“Turp për ju, po e shohin qytetarët. Ju nuk dëshironi që Presidenti i Republikës t’i drejtohet vendit me një fjalë”, tha Nikolla. Kryeparlamentarja i kërkoi ndjesë Presidentit dhe vijoi me rendin e ditës.
Të pranishëm në seancë ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.