Konferenca e Kryetareve ka vendosur që të mërkurën në datën 9 qershor në orën 10:00 të zhvillohet seanca plenare për çështjen e shkarkimit të presidentit Ilir Meta.
Në këtë seancë pritet të zhvillohet procesi i votimit, ku duhen 94 vota për shkarkimin e kreut të shtetit.
Më 28 maj, Komisioni Hetimor Parlamentar miratoi në mënyrë unanime raportin përfundimtar për shkarkimin e presidentit, pasi sipas tyre kreu i shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor të 25 prillit.
Nëse të mërkurën Kuvendi vendos pro shkarkimit të presidentit, më pas kjo çështje i kalon Gjykatës Kushtetuese, e cila është organi më i lartë që jep vendimin final për këtë nismë të 49 deputetëve socialistë.
Ndërkohë e gjithë kjo procedurë nuk është pranuar nga presidenti Meta, i cili e ka quajtur Komisionin Hetimor anti-kushtetues.