Në fjalimin e tij të parë publik si udhëheqës suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei bëri thirrje për unitet kombëtar dhe tha se të gjitha bazat amerikane në rajon duhet të mbyllen ose do të përballen me sulme. Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur për të ushtruar presion mbi armiqtë e Iranit, tha Khamenei.
Lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, deklaroi se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit duhet të përdoret si levë presioni dhe se sulmet iraniane ndaj fqinjëve arabë në Gjirin do të vazhdojnë.
Deklarata e tij e parë që nga emërimi u lexua në televizionin shtetëror nga një prezantues lajmesh; Khamenei nuk u shfaq në kamera, ndërsa një vlerësim izraelit tregon se ai u plagos gjatë sulmeve të para të luftës.
Ai premtoi hakmarrje për ata që u vranë në luftë, përfshirë viktimat e sulmit ndaj një shkolle. Khamenei tha se Irani do të “marrë kompensim” nga armiku i tij, duke iu referuar SHBA-së. Nëse kjo e fundit refuzon, Irani do të “marrë nga asetet e saj” ose do t’i shkatërrojë ato në të njëjtën masë, shtoi ai.
Khamnei, 56 vjeç, shihet si më i ashpër dhe konservator se babai i tij, megjithëse ai mbajti një profil të ulët në Iran përpara se të zgjidhej për ta pasuar atë si udhëheqës suprem.
Lufta që filloi me një fushatë bombardimi SHBA-Izrael në fund të shkurtit deri më tani ka vrarë rreth 2,000 njerëz dhe ka shkaktuar atë që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e përshkruan si ndërprerjen më të madhe të furnizimit global me energji në histori.
/Argumentum.al




























































