Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për çështjen e lobimit rus nga PD, duke marrë të pandehur kryedemokratin Lulzim Basha, ish-sekretarin e kësaj partie Arben Ristani dhe Ilir Dervishin.
Dosja për lobimin rus është dërguar në Gjykatën e Tiranës.
Redaktori i lajmeve në Ora News, Trashgim Sokolaj thotë se akuzat që janë ngritur lidhen me çështjen e lobimit të PD në SHBA ku prokurorët flasin në dosje për dy pagesa të kryer nga Shqipëria nëpërmjet një kompanie ndërmjetëse 525 mijë dollarë dhe në rastin tjetër 150 mijë dollarë. Sipas Sokolajt baza kryesore ku prokurorët e mbështesin akuzën e tyre lidhet me dokumentacionin e mbajtur për këto dy transferta.
Prokuroria ka pushuar ndaj tyre akuzën për “Pastrim të produkteve të veprës penale”.Tre zyrtarët e lartë të PD akuzohen për “Falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve.”
Ndërkohë pritet të merret në pyetje Nik Muzini në SHBA pasi kërkon garanci nga shteti shqiptar.
Sa rrezikon Basha?
Referuar nenit 190 të Kodit Penal veprat penale “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
Kjo është hera e parë ku kemi një rast të tillë kur lideri i opozitës merret i pandehur dhe dërgohet në gjykatë për akuza penale. Kjo vendimmarrje dhe ky akt do të ketë një pasoje në jetën politike të vendit.