Komiteti Norvegjez i Nobelit ka shpallur Maria Corina Machado si fituesen e Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025, duke e nderuar për angazhimin e saj të palodhur në mbrojtjen e të drejtave demokratike dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme për të sjellë një tranzicion paqësor dhe të drejtë nga diktatura në demokraci në Venezuelë.
Si udhëheqëse e lëvizjes demokratike në Venezuela, Machado ka qenë një nga figurat më të njohura dhe të guximshme të opozitës në Amerikën Latine. Ajo ka luajtur një rol kyç në bashkimin e opozitës, e cila, ndonëse e ndarë, ka gjetur konsensus në kërkesën për zgjedhje të lira dhe një qeveri që përfaqëson popullin.
Venezuela, dikur një shtet relativisht demokratik dhe i pasur, ka kaluar në një regjimin autoritar dhe brutal, që ka sjellë një krizë të thellë humanitare dhe ekonomike. Pavarësisht kërcënimeve serioze dhe represionit të vazhdueshëm nga regjimi, Machado ka mbajtur qëndrim të fortë për lirinë e popullit venezuelian, duke luftuar për zgjedhje të ndershme dhe përpjekjet për të siguruar transparencë në proceset elektorale.
Në vitin 2024, ajo ishte një nga kandidatët kryesorë për presidentin e opozitës, por regjimi e bllokoi kandidaturën e saj. Megjithatë, ajo mbështeti një tjetër kandidat dhe mobilizoi qindra mijëra vullnetarë për të vëzhguar dhe siguruar zgjedhje të drejta, duke luftuar për të siguruar që fletët e votimit të dokumentoheshin dhe numëroheshin pa manipulime.
Maria Corina Machado ka qenë një simbol i shpresës dhe qëndresës paqësore për Venezuelën dhe për të gjithë botën, duke treguar se mjetet e demokracisë janë gjithashtu mjete të paqes. Ajo ka frymëzuar miliona njerëz që të mos heqin dorë nga kërkesa për të drejtat e tyre dhe lirinë, pavarësisht kushteve të vështira dhe kërcënimeve.
Në një kohë kur demokracia po përballet me sfida globale, Machado është një shembull i guximit dhe vendosmërisë për të mbrojtur parimet e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut. Ajo ka realizuar të tre kriteret e përcaktuara në testamentin e Alfred Nobel për të marrë Çmimin e Paqes: ka bashkuar popullin për një kauzë të drejtë, ka refuzuar të hesht në mes të represionit dhe ka mbështetur një kalim paqësor nga diktatura në demokraci.
Ky çmim është një nderim për punën e palodhur dhe të guximshme të Maria Corina Machado dhe një thirrje për të gjithë ata që vazhdojnë të luftojnë për lirinë dhe paqen në botë.



























































