Në fillim të këtij muaji, kryetari i Komunitetit Malazez në Republikën e Shqipërisë z. Marinko Çullafiq u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta. Në takim ishin të pranishëm Ruzhica Rashoviq (sekretare e përgjithshme e ZCGA), Romina Radonshiq (pedagoge doktore shkecash) dhe Dejan Çullafiq (student).
Z. Çullafiq gjatë bisedës së ngrohtë dhe miqësore që pati me z. Meta theksoi edhe një herë rolin e pakicës kombëtare malazeze si urë lidhëse midis popujve tanë dhe angazhimin e shoqatës ZCGA për të kontribuar në mënyrë modeste në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Gjithashtu, ai kërkoi mbështetje institucionale për minoritetin malazez të saponjohur ligjërisht për përmirësimin e të drejtave të kësaj pakice kombëtare në kuadër të konventave evropiane për minoritetet, zbatimin në praktikë të ligjit të ri për minoritete dhe mundësia që duhet t’i jepet përfaqësuesve të minoriteteve në institucionet kryesore, deri në parlamentin shqiptar.
Nga ana e Tij, z. President theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, ngjashmërinë midis dy popujve në tradita dhe mikpritje dhe ofroi vullnetin e tij të mirë për ta mbështetur në çdo moment pakicën kombëtare malazeze!
Në fund z. Çullafiq e falënderoi edhe një herë Presidentin e Republikës për kohën që i kushtoi dhe nderimin që i bëri përfaqësisë të Komunitetit Malazez në Republikën e Shqipërisë, dhe e ftoi që të jetë i pranishëm në aktivitetet që do të zhvillohen në të ardhmen nga ZCGA.