Ministrja e Jashtme gjermane viziton Kievin

Politikanja e gjelbër dhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock është ministrja e parë e qeverisë gjermane që qëndron të martën në Ukrainë për vizitë, ku pritet të rihapë ambasadën gjermane në Kiev.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock është anëtarja e parë e kabinetit qeveritar gjerman që viziton Ukrainën që nga fillimi i luftimeve pas agresionit rus. Ajo qëndron të martën në Kiev, por vizitën e parë e bëri në Butça, për t’u informuar në terren për gjendjen. Në këtë qytet pas tërheqjes së trupave ruse nga Ukraina u gjetën shumë viktima civile, pjesërisht me duart e lidhura pas shpine.

Baerbock, e cila është shoqëruar nga Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, u shpreh se Gjermania do të japë ndihmën e saj për zbardhjen e krimeve të luftës gjatë sulmit të Rusisë. “Ne ua kemi detyrim këtë viktimave, që jo vetëm i përkujtojmë, por edhe të nxjerrim para përgjegjësisë autorët e krimeve.” Baerbock takohet edhe me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba dhe do të hapë edhe ambasadën gjermane në Kiev të mbyllur nqë nga fillimi i luftimeve në shkurt.

“Armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur”

Ndërkohë kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron pas takimit në Berlin të hënën kanë kërkuar hapa konkretë për arritjen e armëpushimit. “Ajo që ne duam të arrijmë është një armëpushim, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Macron. Vetëm kështu mund të çojnë në një përfundim negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë dhe si rrjedhojë tërheqjen përfundimtare të trupave ruse. “Ky është qëllimi ynë.”

Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz kërkon që pas kaq javë të luftës duhen bërë hapa të vendosur për përfundimin e konfliktit. Por nuk duhet që Ukraina të pranojë një “paqe me diktat” me kushte për sovranitetin dhe integritetin e saj si komb, të cilat ky vend nuk mund t’i pranojë.