Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot një përfaqësi të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Presidenti i këtij Këshilli, Ambasadori, Timothy A. Chorba. Kjo përfaqësi e ish-diplomatëve të lartë amerikanë, po viziton Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal faktmbledhës për tre vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Pasi vlerësoi marrdhëniet e shkëlqyera dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe shprehu mirënjohjen për atë çka ato kanë bërë për pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, Presidenti Begaj i njohu ish-diplomatët amerikanë me reformat dhe hapat e ndërmarra për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Begaj u ndal në kontributin e Shqipërisë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e frymës së fqinjësisë së mire në rajon, duke nënvizuar edhe mbështetjen që Shqipëria i jep dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja alternative për arritjen e një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme, me në qendër njohjen e ndërsjellë të tyre.
Ndërsa, lidhur me procesin e integrimit evropian, Presidenti Begaj, nënvizoi se pas anëtarësimit në NATO, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, mbetet prioriteti strategjik më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke iu referuar kushteve të reja gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, Presidenti Begaj, nënvizoi qasjen e re të Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe i njohu të pranishmit me çeljen e negociatave të aderimit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zhvillimeve në Ukrainë, si dhe rolit e kontributit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në dënimin e agresionit rus dhe në mbrojtje të parimeve të Kartës së OKB-së dhe rendit botëror.
Presidenti Begaj përshëndeti gjithashtu edhe bashkëpunimin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë me partneren e saj në Shqipëri, Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, të drejtuar nga Presidenti i këtij këshilli, z. Besnik Mustafaj.
/Argumentum.al