“Axhenda e qëllimshme antikombëtare për shpopullimin dhe falimentimin e Shqipërisë është një fakt i qartë. Pasojat tragjike ndihen në çdo familje shqiptare dhe në çdo sektor.”
Ky koment është bërë nga Presidenti Ilir Meta në një postim në rrjetet sociale pas lajmit të Zërit të Amerikës se 221 mijë qytetarë janë larguar nga Shqipëria gjatë 5 viteve të fundit.
Më shumë shqiptarë se në çdo qeveri tjetër janë larguar nga Shqipëria në gjysmën e qeverisjes 8-vjeçare të kryeministrit Edi Rama.
“Është detyrë e të gjithëve ne të bashkohemi pa humbur kohë në një front të përbashkët kombëtar për të trajtuar me përgjegjësi, patriotizëm dhe profesionalizëm këtë dramë të madhe dhe për të ringjallur shpresën”, tha Meta.
“Nevojitet urgjentisht një strategji e qartë dhe efektive që lufton realisht dhe në mënyrë permanente fenomenet që çojnë në braktisjen e vendit nga shqiptarët, duke garantuar së pari standarde të qeverisjes, llogaridhënie demokratike në çdo nivel dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve nëpërmjet referendumeve.Të bashkojmë energjitë për t’i dhënë Shqipërisë drejtimin dhe perspektivën e merituar europiane!Koha për të ndërtuar Europën në Shqipëri është tani!
/Argumentum.al