Kongresi i Partisë Socialiste të Shqipërisë nis sot punimet, pas përfundimit me sukses të Asambleve të Zgjeruara të zhvilluara në çdo qytet të vendit, si një cikël i domosdoshëm takimesh me strukturat përkatëse të PS mbi proceset transformuese të kësaj force politike, analizën e punës së bërë deri më sot, si dhe riangazhimin për të krijuar të gjithë energjinë e nevojshme për fitore të mëtejshme në të ardhmen.
Partia Socialiste theksoi në njoftimin për mediet në nisje të Kongresit se ” kuvendimi i sotëm, është një bilanc pune, arritjesh domethënëse e hapash të hedhura me sukses, në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, por njëkohësisht edhe një analizë mbi sfidat po kaq domethënëse me të cilat mazhoranca pret të përballet me të njëjtin sukses”.
Diskutimet janë të organizuara në 6 panele që do zhvillohen përgjatë ditës, me analizë specifike për çdo sektor, të faktuar me shifra, të ballafaquar me premtime të realizuara dhe të kompletuar me vizionin e asaj që mund të bëhet më mirë në të ardhmen.
Paneli 1: Reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit: Legjislacioni, Zbatueshmëria, Afrimi me BE, Problematikat, Inteligjenca Artificiale.
Paneli 2: Prioritetet zhvillimore: Infrastruktura, Energjia, Financat, Turizmi, Bujqësia, Kultura.
Paneli 3: Shërbimet Publike: Arsimi, Shëndetsia & Mbrojtja Sociale, Sipërmarrja, Arsimi Profesional
Paneli 4: Qeverisja vendore: Reforma territoriale, Ekonomia Vendore, Shërbimet, Mjedisi
Paneli 5: Siguria dhe Shqipëria në botë
Paneli 6: Partia Socialiste 2030
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama do të jetë pjesë e panelit “Siguria dhe Shqipëria në botë”, si dhe në përmbyllje të punimeve do të mbajë një fjalë.