“Bashkimi Evropian si referencë e zgjedhjeve të lira, duhet të jetë reaguese dhe mbështetëse njëjtë edhe për Kosovën si vend aspirant për anëtarësim në BE. Mbetet e paqartë ky mosinteresim i BE-së kësaj radhe për zgjedhjet në Kosovë,” ka deklaruar Dr. Gurakuç Kuçi, Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, në një reagim në rrjetet sociale lidhur me mungesën e një misioni vëzhgues nga BE në zgjedhjet lokale të tetorit.
Deklarata e tij vjen në një moment kur ka shqetësime në rritje për mungesën e angazhimit të Bashkimit Evropian në monitorimin e proceseve zgjedhore në Kosovë, sidomos pas një misioni të gjerë vëzhgues që u dërgua në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt 2025.
Në atë rast, misioni i BE-së evidentoi ndërhyrje serioze në procesin zgjedhor, përfshirë ndërhyrjet e hapura të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, presionin ekonomik mbi votuesit serbë në Kosovë, përdorimin e mediave të kontrolluara nga Beogradi dhe ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe. Po ashtu u raportua kufizimi i qasjes për partitë tjera serbe dhe një sërë parregullsish të tjera të rëndësishme që cënonin standardet demokratike.
Në kontrast të plotë me atë angazhim, për zgjedhjet lokale të tetorit 2025, Bashkimi Evropian nuk dërgoi mision vëzhgues, duke u mjaftuar vetëm me një deklaratë për media në të cilën përshëndeste zhvillimin e zgjedhjeve dhe bënte thirrje për funksionalizimin e shpejtë të institucioneve lokale.
Kjo qasje është parë nga ekspertë dhe analistë si një tregues i standardeve të dyfishta dhe një mungesë koherence në angazhimin e BE-së në rajon. Për Kosovën, një vend që synon integrimin evropian dhe që vazhdimisht përballet me sfida të mëdha demokratike në pjesën veriore të vendit, monitorimi ndërkombëtar i zgjedhjeve mbetet një element kritik për garantimin e transparencës dhe besueshmërisë së procesit.
Dr. Kuçi, në deklaratën e tij, ka ngritur pikëpyetje të qarta mbi këtë qasje selektive:
“Nëse BE-ja angazhohet seriozisht për ruajtjen e standardeve demokratike në Ballkan, atëherë nuk mund të anashkalojë procese kyçe në një vend që kërkon të jetë pjesë e saj. Kjo heshtje ose distancë në raste të caktuara i dëmton jo vetëm proceset demokratike në Kosovë, por edhe vetë kredibilitetin e BE-së në rajon.”
Reagimi i plotë i Dr. Gurakuç Kuçi
Pse Bashkimi Evropian nuk i monitoroi zgjedhjet lokale në Kosovë?
Bashkimi Evropian, për zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025 në Kosovë, angazhoi një mision të posaçëm për monitorimin e procesit elektoral, fushatës, ndërhyrjeve të jashtme dhe propagandës. Raporti përfundimtar i këtij misioni vërtetoi qartë ndërhyrjet e hapura të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, përdorimin e presionit ekonomik, skemave sociale, mediave të kontrolluara nga Beogradi, Listë Serbe dhe ndërhyrjet e Kishës Ortodokse. Po ashtu, u evidentua kufizimi i qasjes së partive të tjera serbe dhe një sërë parregullsish të tjera serioze.
Në zgjedhjet lokale të tetorit Bashkimi Evropian nuk dërgoi një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve. BE-ja deri më tani dha vetëm një deklaratë të përgjithshme për media ku përshëndeste zgjedhjet dhe kërkonte hyrjen në fuqi sa më shpejt të kryetarëve të rinj.
Mbetet e paqartë ky mosinteresim i BE-së kësaj radhe për zgjedhjet në Kosovë. Deri më tani nuk ka një raport zyrtar që mund të konstatojmë diçka në lidhje me këtë pjesë.
BE-ja si referencë e zgjedhjeve të lira, duhet të jetë reaguese dhe mbështetëse njëjtë edhe për Kosovën si vend aspirant për anëtarësim në BE?
/Argumentum.al





























































