Qeveria shtyn deri në fund të vitit emergjencën për energjinë

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për zgjatjen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike deri në fund të këtij viti.

“Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 31 dhjetor 2022”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Qeveria e shpalli gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji elektrike në fillim të muajit tetor të vitit të shkuar. Gjendja e emergjencës ishte e parashikuar të zgjaste deri më 15 prill 2022.

Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiarë, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative.

Synimi i qeverisë është të mbrojë konsumatorët, me një rend prioritetesh nga poshtë-lart, nga ata që janë më në nevojë e duke vajtur më lart, përmes biznesit të vogël dhe më tej.

/Argumentum.al