Në një intervistë për prestigjiozen “Financial Times”, kryeministri Edi Rama ka mohuar akuzat se është kumbari i Shqipërisë, pas javësh protestash kundër korrupsionit të nxitura nga projekti për një resort luksoz i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
I ashtuquajturi ”Revolucioni i flamingove” u nxit nga zemërimi publik ndaj projektit prej katër miliardë dollarësh të planifikuar nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump në një ishull dhe pranë një zone të mbrojtur natyrore, e njohur për flamingot e saj.
Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe ndjekjen e tij penale për atë që e konsiderojnë korrupsion sistemik që u lejon investitorëve ndërkombëtarë të ndërtojnë në zona të mbrojtura.
”Njerëzit thonë se unë jam udhëheqësi i gjithë kësaj. Unë u them shkofshi në djall. Kaq e thjeshtë është”, tha Rama.
”Nuk është detyra ime të provoj se nuk jam unë kumbari; është detyra e tyre të provojnë se jam”, shton ai.
Prokurorët shqiptarë kanë lëshuar urdhërarreste për dhjetëra biznesmenët të akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash, përfshirë një person që më parë kishte qenë pronar toke në zonën ku do të zhvillohet projekti i Kushnerit dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump.
Një zëdhënës i Kushnerit dhe partnerëve të tij në Shqipëri nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Rama këmbënguli se investimet e Kushnerit janë të rregullta dhe se nuk ekziston asnjë lidhje mes projektit dhe hetimit ndaj ish-pronarit të tokës.
”Të thuash se ekonomia shqiptare bazohet te pastrimi i parave është e tmerrshme”, tha Rama nga zyra e tij, me pamje nga bulevardi ku dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar çdo mbrëmje për më shumë se tre javë.
”Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem kaq i madh”, shtoi ai.
”Mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Ka. Por a mund të thuhet se ekonomia britanike mbështetet në masë të madhe te pastrimi i parave? Jo”, shton ai.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar urdhërarreste për 20 biznesmenë, të cilët dyshohen se janë përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Sipas hetimeve, miliarda euro dyshohet se janë kanalizuar drejt projekteve të mëdha të ndërtimit përgjatë bregdetit Adriatik dhe në kryeqytetin shqiptar.
Ndër biznesmenët e përfshirë është edhe Artur Shehu, shtetas shqiptaro-amerikan që jeton në Majami. Në vitin 2025 ai shiti tokë pranë rezervatit natyror ku ndohen foletë e flamingove te kompania “Albania Land Development”, e lidhur me projektin e Kushnerit. Kjo marrëveshje është vënë nën shqyrtim nga prokurorët antikorrupsion, të cilët kanë ngrirë pagesa me vlerë 128 milionë euro në pritje të përfundimit të hetimeve.
Shehu nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Rama argumentoi se qeveria e tij u ka dhënë prokurorëve më shumë liri për të ndjekur rastet e korrupsionit, gjë që sipas tij ka rritur perceptimin se vendi është i mbushur me korrupsion dhe krim të organizuar.
”Në fakt është e kundërta. Shqipëria po lufton si kurrë më parë dhe sot është shumë më pak e korruptuar se sa ka qenë më parë”, tha ai.
Sipas Ramës, kundërshtimi ndaj projektit është nxitur edhe nga kundërshtarët e presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë Iranin.
”Ka shumë interesa për ta vrarë këtë projekt, sepse lidhet me Trumpin”, deklaroi ai.
”Po të mos ishte Jared Kushneri, askush nuk do t’ia dinte për flamingot, për Shqipërinë apo për asgjë tjetër. E gjithë kjo vëmendje vjen nga urrejtja ndaj Trumpit”, shton ai.
Kryeministri u shpreh i bindur se planet për zhvillimin e resortit bregdetar do të vazhdojnë pavarësisht protestave.
”E rëndësishme është që investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë të përfshirë në pastrim parash”, tha Rama.
”Ata janë investitorë të mëdhenj. Kjo është një mundësi historike për Shqipërinë”, shtoi ai
/Argumentum.al
























































