Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me mallrat e shportës, ku theksoi se qeveria në kuadër të përpjekjes për të minimizuar pasojat e krizës do t’i mbështesë ata me garanci sovrane.
Rama tha se, “ne e mirëkuptojmë shumë situatën tuaj edhe të pasigurisë në financim, por edhe të përgjithshmen. Ne kemi vendosur garancinë sovrane për ju, që ju të mund të merrni dhe ta përdorni me garanci të plotë të shtetit, çdo kredi për të marrë edhe më shumë furnizim sesa zakonisht, për ta pasur aty për çdo rast në afatgjatë, sepse sot të gjitha depot janë plot, me mirëkuptimin e shkruar jo me fjalë, që çdo gjë që do të mbetet do ta marrë shteti. Nuk do t’ju mbetet e pashitur, dhe kështu do të humbisni paratë tuaja nga një investim me përgjegjshmëri sociale në këtë rast dhe jo thjesht një investim biznesi për të qenë aty”.
“Kjo garanci sovrane është që të gjitha ata që janë të përfshirë në zinxhirin e furnizimit të kenë mundësi të investojnë dhe shpenzojnë siç duhet. Kjo rezervë ekstra është dhe shtetërore në të njëjtën kohë, ju do ta përdorni siç përdorni zakonisht rezervat, por nëse mbetet për shkak të mbifurnizimit do ta marrë shteti, është e garantuar. Nuk ka asnjë diskutim që ju nuk do të humbisni asnjë qindarkë në këtë operacion”, tha Rama.