Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se, në mënyrë të padrejtë Kosovës i është vënë vetoja për liberalizimin e vizave dhe kjo ka ndikuar në uljen e besimit të qytetarëve kosovarë te Bashkimi Europian.
“Po ndodh diçka në Kosovë. Mbështetja për BE-në ishte 90%, por është ulur dhe do të vazhdojë të ulet se Kosovës në mënyrë të padrejtë i është vënë vetoja për liberalizimin e vizave”, tha Rama në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor që u organizua sot në Tiranë.
Raam tha se “janë 2 milionë persona që gjatë diktaturës kishin mundësinë të lëviznin lirshëm, ndërsa me lirinë që kanë nuk u jepet kjo liri lëvizje nga miq që i çliruan”.
“Bëhet fjalë për 100 milionë njerëz që udhëtojnë tashmë lirshëm në BE, ndërsa 2 milionë persona nuk munden. Çfarë do të bëhet? Kështu që të vazhdojmë t’i referohemi Xhefersonit, De Gol dhe të tjerëve dhe të shpresojmë që shpirtrat e tyre do të sjellin energji për udhëheqësit e sotëm të Europës”, tha Rama.
Rama tha se “kemi arritur në një klimë kur Serbia e Kosova flasin me njëri-tjetrin dhe liderët përpiqen të kuptohen”. “Nuk është as e mençur vendosja e tarifës. Por nga doli kjo tarifë? Ne menduam se nuk do të kishte më kështu gjëra? Mos do të vijë ndonjë gjë tjetër shumë më shqetësuese se tarifa?”, tha Rama.