Këshilli i Ministrave vendosi sot, ngritjen e taskforcës – Host Nation Task Force (HNTF) dhe të Skuadrës Kombëtare të Organizimit për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.
Në vendim thuhet se “Taskforca kryesohet nga Kryeministri dhe, në mungesë të tij, nga Koordinatori Kombëtar për organizimin e samitit, i emëruar me urdhër të Kryeministrit”.
Sipas vendimit, taskforca ka në përbërje ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, përfaqësuesin e kabinetit të Kryeministrit; Sekretarët e Përgjithshëm të disa ministrive.
Po ashtu në përbërje të taskforcës janë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit; drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
Në vendim thuhet se taskforca mbështetet në veprimtarinë e saj nga një sekretariat teknik, që ngrihet pranë dhe nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Në mbledhjet e HNTF-së mund të ftohen, sipas nevojës, përfaqësues të institucioneve të tjera publike, si edhe ekspertë vendas ose të huaj, në varësi të çështjeve që diskutohen. Host Nation Task Force është organ vendimmarrës për përcaktimin e detyrave dhe të përgjegjësive institucionale në funksion të organizimit të Samitit”, thuhet në vendim.
Në vendimin e Qeverisë, nënvizohet gjithashtu se nën varësinë e HNTF-së ngrihet Skuadra Kombëtare e Organizimit (National Organization Team – NOT), e cila kryesohet dhe funksionon nën përgjegjësinë e Koordinatorit Kombëtar.
Sipas vendimit, skuadra Kombëtare e Organizimit është përgjegjëse për bashkërendimin me taskforcën e samitit të NATO-s në Bruksel, me Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO, si dhe me taskforcat e vendeve pritëse të samiteve paraardhëse.
Detyrat e Skuadrës Kombëtare të Organizimit përfshijnë vlerësimin dhe propozimin e masave sektoriale për sigurinë e delegacioneve dhe personaliteteve shtetërore, akomodimin, transportin dhe aspekte të tjera.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.




























































