Shoqata Kineze e Pambukut ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj vendimit të ShBA-së për të shtuar 43 kompani kineze, duke përfshirë firma të tekstileve të pambukta, në të ashtuquajturën “Listë e njësive e Aktit të Parandalimit të Punës të Detyruar të Ujgurëve”, duke vënë në dukje që kjo shkel seriozisht rregullat bazë të tregtisë ndërkombëtare.
Shoqata theksoi në një deklaratë të publikuar të shtunën se akuzat e ShBA-së për “punë të detyruar” nuk kanë bazë faktike e ligjore, duke shtuar që industria kineze e pambukut ka ndjekur vazhdimisht një rrugë zhvillimi modern dhe të orientuar nga tregu.
Në Xinjiang, një rajon kryesor i prodhimit të pambukut në Kinë, më tepër se 90 % e mbledhjes së pambukut kryhet me makineri, dhe operacionet shumë të automatizuara e në shkallë të gjerë mbulojnë të gjithë zinxhirin industrial, nga mbjellja e vjelja deri në përpunimin dhe prodhimin e tekstilit, tha shoqëria.
Të drejtat e punës dhe interesat e fermerëve të pambukut dhe punonjësve të kësaj industrie janë të mbrojtura në mënyrë të rreptë nga ligjet kineze dhe zgjedhjet e punësimit prej tyre janë vullnetare.
“Nuk ka të ashtuquajtur ‘punë të detyruar’,” vë në dukje deklarata.
Kjo lëvizje e ShBA-së shpërfill faktet dhe përbën një “prezumim faji” ndaj kompanive kineze, u shpreh shoqata, duke shtuar se qëllimi i vërtetë i saj është politizimi dhe përdorimi si armë i çështjes së të drejtave të njeriut për të penguar zhvillimin e industrisë së pambukut dhe tekstileve të Kinës.
Shoqata Kineze e Pambukut vuri në dukje gjithashtu që sanksionet do të dëmtojnë qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të industrisë e furnizimit të pambukut dhe do të shkelin të drejtat dhe interesat e ligjshme të kompanive kineze.
Industria kineze e pambukut ka besimin dhe aftësinë për të kapërcyer sfidat e krijuara nga presioni i jashtëm, vijon më tej deklarata, duke vënë në dukje që Kina ka zinxhirët më të plotë industrialë të pambukut dhe tekstileve në botë, një treg të brendshëm gjigant konsumi dhe një strukturë gjithnjë e më të larmishme të tregut ndërkombëtar.
Shoqata tha se do të vazhdojë të mbështesë dhe të mbrojë të drejtat dhe interesat e ligjshme të ndërmarrjeve kineze të pambukut dhe tekstileve./cgtn





























































