Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë ka reaguar ashpër ndaj, siç i cilëson ajo, akuzave të pabaza dhe tendencioze të bëra në emisionin “Studio Actualno Ballkani”, ku i ftuar ishte Ervis Taluri, përfaqësues i të ashtuquajturës Shoqatë për Miqësi Bullgaro-Shqiptare.
Në deklaratën e saj për shtyp, shoqata thekson se ky emision përfaqëson një manipulim klasik mediatik, që synon heshtjen e aktivistëve maqedonas në Republikën e Shqipërisë dhe vazhdimin e politikave të vjetra bullgare për mohimin e kombit dhe identitetit maqedonas.
Sipas Shoqatës “Ilinden”-Tiranë, gjatë emisionit, Ervis Taluri ka sulmuar drejtpërdrejt Aleancën Maqedonase për Integrim Evropian dhe presidentin e saj, duke relativizuar të vërtetën historike dhe politike mbi praninë dhe të drejtat e maqedonasve në Shqipëri.
Shoqata thekson se Taluri, i lindur dhe rritur në Shqipëri nga baba shqiptar dhe nënë maqedonase, ka përfituar arsimim të financuar nga shteti bullgar nga shkolla e mesme deri në doktoraturë dhe se, pas kthimit në Shqipëri, është shfaqur si “ekspert” për pakicën bullgare, me qëllim mohimin e maqedonasve dhe sulmimin e subjekteve të tyre politike.
Në deklaratë thuhet se këto veprime bien ndesh me vlerat evropiane dhe të drejtat themelore të njeriut, duke përdorur metoda që i përkasin shekullit të 19-të.
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë ngre gjithashtu shqetësime serioze për, sipas saj, lidhjet e Shoqatës së Miqësisë Bullgaro-Shqiptare me biznesin e pasaportave bullgare, ku qytetarëve shqiptarë u kërkohen shuma të mëdha parash për “vërtetime origjine”, certifikata të rreme dhe ndërmjetësim. Sipas deklaratës, ky model kriminal ka qenë objekt hetimesh dhe arrestimesh si në Bullgari ashtu edhe në Shqipëri, ndërsa disa prej personave të përfshirë janë futur në lista të zeza ndërkombëtare.
Në përfundim, Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë deklaron se, pavarësisht presioneve dhe sulmeve të vazhdueshme, do të vazhdojë me vendosmëri luftën kundër mohimit të identitetit maqedonas nga strukturat e orkestruara bullgare, si në Shqipëri ashtu edhe në institucionet evropiane.
Në vijim paraqitet deklarata e plotë për shtyp e Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë.
© 2026 Argumentum





























































