Shqipëria ka mirëpritur sot shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe Partnerët Mesdhetarë në Konferencën e OSBE-së për Mesdheun, duke kurorëzuar kryesimin e Grupit të Kontaktit për Mesdheun.
“Pas një pune të vyer njëvjeçare në kryesimin e Grupit të Kontaktit për Mesdheun, sot në Tiranë po qëndrojnë mbi 200 përfaqësues të vendeve pjesëtare të OSBE-së, vendeve partnere të Mesdheut dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare”, shkruan ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Për ministrin Cakaj, “kjo Konferencë mundëson një diskutim përmbajtësor për bashkëpunimin mes vendeve të OSBE-së dhe partnerëve të Mesdheut në çështje si rinia, energjia, ekonomia, siguria kibernetike, dialogu ndërfetar dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm”.
Nisur nga fakti se, përtej referencave gjeografike, Shqipëria ndan lidhje të forta kulturore dhe politike me rajonin e Mesdheut, ministri Cakaj premtoi se, Shqipëria do të vazhdojë t’i ruajë këto marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi dhe do t’i trajtojë çështjet me përparësi gjatë Kryesisë së saj të OSBE-së, në vitin 2020.