Ditën e djeshme kreu i PD Lulzim Basha doli në konferencë pak orë pas kryeministrit Rama. U komentua si një hap para pasi kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike të vendit, ndonëse bëri sërish të qartë se dialog pa kushte me Ramën nuk mund të ketë.
Por sot Basha do ketë një ditë të ngjeshur me takime. Një mbledhje me Kolegjin e Kryetarëve në selinë e PD do të mbahet në orën 11 e gjysmë dhe më pas në orën 13:00 do ketë mbledhje me kryetarët e Bashkive të djathta. Ndërsa në orën 17: 00 njoftohet për një mbledhje të përbashkët me kryesinë e PD-së dhe grupin e ish deputetëve.
Çfarë do nxjerrin këto takime? Në fokus të këtyre takimeve mendohet të jetë aksioni politik i opozitës, kriza politike dhe zgjedhjet e 30 qershorit.
Mund të ketë edhe një datë për protestën e radhës. Kujtojmë se një ditë më parë në konferencë Basha tha: Ky është moment për të intensifikuar dhe për të vazhduar me vendosmëri betejën tonë!
“Nesër kam thirrur forumet më të larta të Partisë Demokratike dhe një konsultë të gjithë koalicionit të bashkuar të opozitës për agjendën e aksionit politik. Ky është momenti për të intensifikuar dhe vazhduar me vendosmëri betejën tonë. Nesër do t’ju informojmë mbi agjendën politike të opozitës”, deklaroi kreu demokrat.