Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova është e përkushtuar të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Këto deklarata ai i bëri në një postim në rrjetin social Tëitter, ku njoftoi se në Mynih të Gjermanisë është takuar me ushtruesin e detyrës së ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker.
Thaçi ka theksuar se vetëm përmes dialogut mund të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Diskutim i mirë me ndihmës-sekretarin, Phil Reeker. E falënderova atë për mbështetjen e SHBA-së që i jep Kosovës dhe konfirmova përkushtimin tonë për arritjen e marrëveshjes finale për njohje nga Serbia. Dialogu është mënyra e vetme që siguron paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Tëitter.
Thaçi po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Mynih. Në këtë forum po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka paraqitur vizionin e tij për dialogun dhe për marrëveshjen finale mes Kosovës e Serbisë. Pikëpamjet e tij janë pritur keq nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.