Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është kthyer në Kosovë, pasi për katër ditë u intervistua nga prokurorët e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Nga Haga, Thaçi ka arritur fillimisht në Tiranë të Shqipërisë dhe prej aty ka hyrë në Kosovë, përmes pikës kufitare në Morinë, ku dhjetëra mbështetës të tij e pritën me flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi ka thënë se nesër (18 korrik) do të mbajë një adresim, ku do të flasë për katër ditët e intervistimit nga ana e prokurorëve në Hagë.
“Një falënderim nga zemra për Ju motra e vëllezër, që në këtë kohë të vështirë jo vetëm për shkak të pandemisë, sot më keni pritur krahëhapur si gjithmonë. Mirënjohje dhe falënderim për të gjithë qytetarët e Kosovës tonë krenare. Gjithmonë me Ju! HTH”, ka shkruar ai.